Moti i keq dhe shirat e rrëmbyeshëm që kanë nisur prej së dielës kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Vlorë dhe Gjirokastër.

Sasitë e mëdha të reshjeve i kanë shndërruar rrugët e Gjirokastrës në lumenj të rrjedhshëm.

Pamjet që po shihni janë filmuar gjatë paradites në këtë qytet. Uji ka arritur deri në 30 centimetra lartësi dhe ka bllokuar tërësisht qarkullimin e brendshëm dhe sheshet kryesore.

Sasi të tilla reshjesh në Gjirokastër janë të shpeshta, por mosfunksionimi i kanaleve kulluese bën që gjithçka të përmbytet brenda pak minutash.

Shiu i parë ka gjetur të papërgatitur dhe Vlorën. Intensiteti i madh i reshjeve gjatë natës i ka bërë shumë rrugë e trotuare të pakalueshëm.

Këto pamje janë filmuar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në rrugën Vlorë-Skelë. Edhe gjatë mëngjesit të sotëm ka pasur probleme të bllokimit të disa akseve rrugore.

Si pasojë e përmbytjes nxënësit e shkollës 9-vjeçare “24 Maji” nuk kanë mundur të kryejnë mësimin në ditën e parë të shkollës./tvklan.al