Emocionet e Serie A do të rikthehen në pasditen e së shtunës. Ekipi kampion i Italisë, Interi, do të presë në “San Siro” Xhenoan në orë 18:30 në takimin e javës së parë. Zikaltrit nën drejtimin e trajnerit Simone Inzaghi do të kenë një detyrë të vështirë për të mbrojtur titullin këtë vit futbollistik.

Në po në të njëjtin orar, Verona, do të ndeshet me Sasuolon në stadiumin “Bentegodi”. Në mbrëmje Lazio e Maurizio Sarrit do të luajë në transfertë kundër Empolit, ku luajnë edhe dy futbollistët shqiptarë, mbrojtësi Ardjan Ismajli dhe mesfushori Nedim Bajrami.

Një derbi i vogël ky mes shqiptarëve, pasi te bardhekaltrit janë katër lojtarët me origjinë shqiptare, portieri Strakosha, mbrojtësit Hysaj dhe Dyrmishi si edhe sulmuesi Muriqi.

Edhe për teknikun e Lazio-s Sarrin dhe mbrojtësin kuqezi Hysaj, kjo është një sfidë e veçantë, pasi ata do të luajnë kundër ish-ekipit të tyre. Takimi tjetër i mbrëmjes do të jetë ai mes Torinos dhe Atalantës.

Pjesë e granatave janë portieri kuqezi Ertrit Berisha dhe mbrojtësi i përfaqësueses kosovare Mërgim Vojvoda, ndërkohë fanellën e bergamaskëve e vesh Berat Xhimshiti.

Të dielën do të luhen 4 sfida të tjera në kampionatin italian, ndërsa e hëna rezervon dy përballjet e fundit të javës së parë.