U kthye nga Holanda, zhduket pa bujë 33-vjeçari në mes të Tiranës

Në këtë puntatë të parë të emisionit “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, do të flasim për një ngjarje misterioze të patrajtuar më parë në mediat shqiptare.

Është fjala për një 33-vjeçar, i cili rezulton i zhdukur prej 5 vitesh. Tauland Maze ka humbur gjurmët në mes të Tiranës mesditën e 19 Janarit të vitit 2015.

Për herë të fundit ai është parë pranë Kopshtit Zoologjik, aty ku edhe është ndarë me te dy prindërit e tij, për mos t’u takuar më kurrë.

Prindërit e të riut kanë qenë të parët të cilët kanë bërë kallëzim në Policinë e Tiranës, me dyshimin se djali i tyre i vetëm është rrëmbyer dhe më pas është zhdukur.

Por kush është Tauland Maze?

Tauland Maze ka lindur në vitin 1986 në qytetin e Elbasanit. Ai është fëmija i tretë i dy prindërve me origjinë nga Vlora dhe prej shumë vitesh jetonte mes Tiranës, Holandës, Italisë dhe Belgjikës. Në vendin tonë ai kishte vetëm dy precedentë penalë të evidentuar zyrtarisht, atë të falsifikimit të dokumenteve. Ai ka mbajtur tre identitete; Tauland Maze, Tauland Janushi dhe Entoni Janushi. Por njihej dhe me pseudonimin “Labi”.

Ndërkohë, sipas autoriteteve shqiptare bëhet me dije se në lidhje me personalitetin e Enton Janushit, nga të dhënat e grumbulluara rezulton se ka qenë emigrant në shumë shtete të Evropës Perëndimore, si në Itali, Francë, Zvicër, Belgjikë dhe Holandë, dhe se gjatë qëndrimit në këto shtete, dyshohet se është marrë me aktivitet të paligjshëm.

Një muaj pas humbjes së kontaktit me të birin, Namik Maze më datën 26 Shkurt 2015 paraqitet në Sektorin e Krimeve të Rënda ndaj jetës në Policinë e Tiranës, ku ka depozituar kallëzim penal, pasi që prej 19 Janarit të të njëjtit vit, nuk kishte më kontakte me të birin dhe kishte dyshime se mund t’ia kishin rrëmbyer.

Dyshimet e babait u përforcuan dhe me provat që ai paraqiti para policisë, karta e identitetit dhe pasaporta e lënë në shtëpi nga ana e të birit si dhe bisedat e fundit me të ku iu kishte rrëfyer se e kishin kërcënuar. 

Rrëfimi i babait për djalin e zhdukur: Në takimin e fundit, më tha se ishte…

Emisioni “Uniko” në Klan Plus ka zbardhur dëshminë në Policinë e Tiranës të Namik Mazes, babait të Taulandit, dhe të të dashurës së këtij të fundit.

Më datën 18 Janar 2015, Entoni ka dalë nga banesa dhe ka vajtur të takojë motrën e tij, shtetasen M.N., që banon në afërsi të “Kopshtit Zoologjik”. Më datën 19 Janar 2015 rreth orës 10:30, aty ka vajtur dhe Namiku së bashku me bashkëshorten  dhe kanë takuar djalin e tyre Entonin, ku kanë qëndruar me të në një kafe deri në orën 13:30.

Babai rrëfen se i biri ishte i trembur, i frikësuar, fliste pak dhe u kishte rrëfyer prindërve vetëm se ishte  kërcënuar nga një shoku i tij me inicialet B.SH.

Gjatë kohës që kam qenë në kafe, djalin e kam parë të trembur dhe e kam pyetur se çfarë problem kishte. Ai pas shumë insistimesh, më është përgjigjur se kishte patur një kërcënim nga B. dhe se nuk ndihej rehat. Unë e kam pyetur disa herë djalin se cila ishte arsyeja që e kishte kërcënuar B., nuk kam marrë asnjë përgjigje pasi im bir është tip i mbyllur dhe nuk kam arritur të mësoj arsyen se përse ishte kërcënuar nga shoku i tij B. Pas kësaj bisede, së bashku me bashkëshorten jemi larguar për në banesë”, thuhet në dëshminë e babait të Tauland Mazes.

Kurse e dashura e tij, shtetasja me inicialet D.T., ka deklaruar se është takuar me Entonin vetëm në datën 17 Janar 2015, e njëjta datë që Entoni ka takuar dhe prindërit e tij.

“Jam takuar me Entonin më datën 17 Janar dhe kam qëndruar me të deri më datën 19 Janar në një hotel. Nga ai kam mësuar se kishte ardhur nga Holanda më datën 17 Janar dhe gjithë kohës ishte shumë i shqetësuar. E kam pyetur disa herë se çfarë kishte ndodhur, por më është përgjigjur vazhdimisht ‘më lër rehat se nuk janë punë për ty”.

E dashura e Taulandit deklaron gjithashtu se ka folur me të më datë 19 Janar në orën 14:00, ku i ka bërë me dije se do të dilte me disa shokë dhe që prej atij moment nuk kishte arritur të komunikonte më me të. 

Çfarë dëshmuan dy personat që pretendohet se shoqëruan Tauland Mazen nga Qafë-Thana në Tiranë?

Tre muaj pas zhdukjes së Enton Janushit në Janar 2015, në Prokurorinë e Tiranës është thirrur të dëshmojë në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes, shtetasi B.SH., i cili përmendet në dëshminë e të babait të 33-vjeçarit.

Para oficerit të policisë gjyqësore, ai mohon të njohë ndonjë person me emrin Tauland Maze ose Entoni Janushi.

Ndërsa kujtohet se njeh një person rreth 30-40 vjeç nga Vlora, vendi i origjinës së familjes Maze, që i thërrisnin me pseudonimin “Labi”. B.SH rrëfen se atë e ka njohur në qytetin e Tiranës nëpërmjet shoqërisë së përbashkët.

“Ka trup mesatar, ezmer, i gjatë afro 180 cm, flokët i kishte të shkurtra. Nuk di nëse kishte vëllezër, por më duket se kishte motra”, ka deklaruar shtetasi B.SH.

I pyetur se ku kishte qenë në datat 17 dhe 19 Janar 2015, B.SH. është përgjigjur se nuk mbante mend se ku dhe me kë kishte qenë gjatë atyre ditëve. Ndërsa mohon të ketë dalë nga Shqipëria gjatë muajit Janar, dhe aq më pak të ketë udhëtuar drejt Shkupit apo të jetë rikthyer në vendin tonë nga pika kufitare e Qafë Thanës, i vetëm apo i shoqëruar nga ndonjë person tjetër.

“Dua të them se në këtë muaj unë nuk kam dalë fare jashtë Shqipërisë”.

Në Prokurori është thirrur edhe personi i dytë, për të cilin pretendohet se ka shoqëruar nga Qafë-Thana drejt Tiranës, Tauland Mazen dhe shtetasin B.Sh.

Ky person, me inicialet F.R., ka deklaruar se Enton Janushin nuk e njeh me këtë emër, por me pseudonimin “Labi”. Ai pranon se për herë të fundit e ka takuar atë në Tetor të vitit 2014 në rrugë, ku Entoni ishte nën shoqërinë e B.SH.

Ai mohon kategorikisht se ka dalë jashtë Shqipërisë në muajin Janar 2015, e veçanërisht në datat 17 ose 19 Janar 2015. /klanplus