Një ditë pas rrëshqitjes së sipërfaqes së tokës si rezultat i reshjeve të vazhdueshme të shiut, reshjet e dëborës kanë filluar të përkeqësojnë  situatën në fshatin Karkavec të Librazhdit.

Në këtë zonë, ku ka një zhvendosje prej 800 metrash të siperfaqes së tokës, disa shtëpi janë bërë të pabanueshme. Kjo ka detyruar familjet të largohen nga banesat e tyre, pasi sipas specialistëve, ato rrezikojnë shembjen në çdo moment.

Zonën e ka inspektuar dhe një grup nga prefektura e Qarkut të Elbasanit dhe një nga deputetët e zonës, të cilët i kanë siguruar banorët se pas vlerësimit të dëmeve, familjet do të dëmshpërblehen.

6 shtëpi të këtij fshati janë bërë të pabanueshme nga lëvizjet tektonike të tokës, ndërkohë që rrëshqitja e dheut ka sjellë rrëzimin e shtyllave të tensionit të lartë dhe si pasojë edhe ndërprerjen e energjisë.

Tv Klan