Vatra të reja të virusit në disa qytete

Koronavirusi ka shënuar një tjetër rekord të rasteve të reja të identifikuar në 24 orë. 57 persona kanë rezultuar pozitiv mes 362 të dyshuarve. Tashmë prania e virusit është në disa qytete ku veçohet Kruja ku janë infektuar sërish disa biznese.

Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier. Ndërkohë që janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë”.

Vatrat e reja të koronavirusit sipas epidemiologeve janë hasur në disa ndërmarrje si pasojë e mos marrjes se masave mbrojtëse.

“Çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për personat e prekur nga Covid19. Një kujtesë edhe për subjektet tregtare të shërbimit: maska apo barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe çdo shkelje do të dënohet sipas ligjit në fuqi”.

Në të gjithë vendin janë 441 persona aktiv të infektuar me koronavirus, por vetëm një pjesë e tyre ka nevojë për kujdes spitalor.

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 47 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar”.

Ekspertet e shëndetësisë  apelojnë që bizneset të rishikojnë mundësinë e punës nga shtëpia kur është e mundur, e ndërsa kërkojnë nga vetë qytetarët marrjen e masave mbrojtëse.

Tv Klan