Numri i fëmijëve emigrantë që përpiqen të arrijnë në SHBA nga Meksika është rritur nëntë herë që nga fillimi i vitit 2021.

Lajmin e ka bërë të ditur UNICEF, që ka deklaruar se numri i tyre është rritur nga 380 në gati 3,500 të cilët presin në qendrat e pritjes.

Fëmijët janë kryesisht nga Hondurasi, Guatemala, El Salvador dhe Meksika. Gjysma e tyre janë të pashoqëruar nga prindërit. Ata presin të kalojnë në SHBA ose kthehen përsëri nga autoritetet për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Në qytetet kufitare si Reynosa, familjet eigrante po krijojnë kampe të improvizuara. UNICEF ka deklaruar se gjendja e tyre po përkeqësohet për shkak të kushteve jo të mira.

Shumë familje do të përfundojnë duke u përpjekur të dërgojnë fëmijët e tyre përtej kufirit të pashoqëruar ose përmes trafikantëve me shpresën që pasi të hyjnë brenda në SHBA, administrata e presidentit Joe Biden do t’i ribashkojë ata me anëtarët e familjes atje.

Sidoqoftë, qeveria meksikane ka dërguar së fundmi trupa në kufirin e saj jugor për të ndaluar migrimin dhe shumë të rinj e familje të migrantëve të tjerë të pashoqëruar ka të ngjarë të arrestohen në javët e ardhshme.

Javën e kaluar, Presidenti Biden nënshkroi një urdhër për të mbajtur numrin e refugjatëve të pranuar çdo vit në SHBA në nivelet e epokës Trump.

Klan News