Mohamed Salah është në luftë me kohën për të luajtur në finalet e Botërorit që nis të enjten e ardhshme. Sulmuesi i Egjiptit është duke u riaftësuar nga dëmtimi i pësuar në finalen e Champions League mes Real Madrid dhe Liverpool më 26 Maj në Kiev.

Dy javë pas kësaj sfide, Salah komentoi për gazetën “Marca” fjalët e Sergio Ramos pas përplasjes mes tyre në fushën e lojës, që më pas u shoqërua me shumë polemika. Mbrojtësi i Real Madrid tha se ishte një ndërhyrje normale dhe se krahu që kapi nuk ishte ai që u dëmtua.

“Argëtuese. E bukur kur ai që të bën të qash, më pas të bën të qeshësh. Ndoshta mund të më thotë nëse do të luaj në Botëror ose jo”,

ishte përgjigjia me sarkazëm e Salah.

Ai foli edhe për gjendjen e tij aktuale.

“Jam mirë për momentin. Uroj të luaj ndeshjen e parë me Uruguajin, por do të varet se si do të jem para këtij takimi”,

tha futbollisti egjiptian që kualifikoi në finalet e Kupës së Botës vendin e tij pas 28 vitesh.

Tv Klan