Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka protestuar sot ndaj ndarjes së re administrative dhe projektligjin për pushtetin lokal. Me heqjen e rretheve si njësi të qeverisjes vendore, tha ai, realizohet një veprim shumë i papërgjegjshëm. Sipas Berishës shkelje e rëndë në këtë projektligj është edhe zgjedhja nga partitë politike, e anëtarëve të këshillit të qarkut. Argumenti i Berishës për këto ndryshime është vetëm frika e pushtetarëve nga vota e shqiptarëve.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Qeveritarët kanë një fobi të tmerrshme dhe kjo fobi quhet votë. Në qoftë se duan të përballen sapo ata imagjinojnë votën nga qoshet më të errëta të ndërgjegjes së tyre, ju fillojnë prokurorët dhe akuzatorët për gjëmat dhe bëmat, për krimet dhe vjedhjet që kanë bërë”.

Po sot Berisha është angazhuar për një fushatë më se qytetare dhe kjo pasi mendon se është dobësuar kundërshtari.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Ne jemi të angazhuar për një fushatë elektorale më të qytetëruarën që kemi zhvilluar ndonjëherë. Ne jemi të angazhuar për një fushatë elektorale, në të cilën të predominojnë faktet, argumentet dhe alternativat. Ne votën e kërkojmë për zgjidhjet që do të japim dhe kandidatët që do të paraqesim. Cila është zgjidhja e kundërshtarëve tanë? Një gjë mund të them se zgjidhje fatlume nuk mund të bëjnë ata përveçse të dëshpëruara, sepse janë në një shkatërrim dhe shpartallim të plotë”.

Pra kryetari i Partisë Demokratike ka bërë sot të qartë fitoren e padiskutueshme, duke deklaruar hapur se s’do të lërë asgjë për të tjerët.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- ”Duke e ditur se s’fitojnë Tiranën, me shpresë o Zot se mos mbetet ndonjë llokmë për ne. Asgjë s’do mbetet për ata, të gjitha do t’i fitojmë ne”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego