Klubi bardhekaltër dhe trajneri italian kanë përparuar në bisedime

Elseid Hysaj është futbollisti kuqezi më i kërkuar në këtë merkato verore. Me Napolin atij i mbaron kontrata këtë verë dhe për shumë klube shikohet si një blerje e goditur; falas dhe me cilësi.

Por për Lazion, ai është kthyer në një element kyç. Bardhekaltrit janë në kërkim të trajnerit të ri, ku Maurizio Sarri është kandidati më i mundshëm për ta marrë këtë detyrë.

Drejtori sportiv Igli Tare zhvilloi një takim me të, më 31 Maj, ku hodhi bazat e marrëveshjes. Ish-trajneri i Juventusit dhe Napolit përveç kërkesës ekonomike, ia ka bërë të qartë drejtuesit shqiptar se ai do ta ndryshojë modulin e lojës.

Për këtë ka nevojë për mbrojtës krahu të denjë për skemat e tij. Elseid Hysaj është futbollisti që Sarri ia kërkoi me ngulm Tares raporton “Gazzetta dello Sport”.

Në pesë vitet e fundit, bardhekaltrit kanë luajtur me modulin 3-5-2, por tani do të kalojnë ose me modulin 4-3-3, ose 4-3-1-2. Tare gjithashtu duhet të blejë edhe një mbrojtës tjetër krahu, një mesfushor, një sulmues krahu dhe qendre.

Por si fillim Hysaj duhet sjellë në Romë. Mbrojtësi i kuqezinjve ka një marrëdhënie mjaft të mirë me teknikun 62-vjeçar. Sarri ka ndikuar në ecurinë e mbrojtësit dhe ka qenë trajneri i tij tek Empoli dhe Napoli.

Hysaj nuk do t’i thoshte kurrë jo një bashkëpunimi të ri me italianin. Tani është detyra e Tares që të shpejtojë dhe të bindë shkodranin për këtë aventurë të re.

Klan News