Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, është shtyrë për të dielën.

“Seanca do t’i vazhdojë punimet nesër, më 4 prill në orën 17:00”, tha kreu i kuvendit, Glauk Konjufca.

Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në nisje të seancës ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza, por më pas ata u larguan nga salla.

Deputetët e tjerë të AAK-së, të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.

Enver Hoxhaj tha se me zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, kryeministri Albin Kurti po dëshiron kontroll absolut të tri institucioneve të shtetit: kuvendit, qeverisë dhe presidencës.

“Vjosa Osmani nuk po zgjidhet si presidente, por atë po e emëron zoti Kurti, po e dërgon në presidencë që të ketë një kontroll absolut”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj përsëriti qëndrimin se PDK-ja nuk e mbështet Osmanin për presidente.

Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës që nuk ka pasur asnjë interesim as për një konsensus politik, as shoqëror, as partiak, por më shumë ka pasur një logjikë të nënshtrimit dhe jo të një kompromisit politik se si të zgjedhet presidenti në vend, kësaj qasje ne si PDK i themi jo”, shtoi ai.

Vjosa Osmani nuk po zgjidhet si presidente, por atë po e emëron zoti Kurti, po e dërgon në presidencë që të ketë një kontroll absolut”.

Para nisjes së seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se beson se e kanë kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit.

“Unë besoj që do të jenë 80 deputetë që do të votojnë dhe që do të kemi mundësinë që sot të kemi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin”, tha Kusari-Lila.

Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./REL