Sfidat me të cilat po përballet ekomomia globale dhe zhvillimi i teknologjisë ishin në fokus të konferencës “Bankat qendrore në një botë shumë komplekse: Demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë”, të organizuar në Shkup. Gjatë panelit, Guvernatori Gent Sejko prezantoi progresin e Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fusha si ajo e mbikëqyrjes bankare dhe ajo e sistemeve të pagesave.

“Përparimi i shpejtë në teknologjinë financiare dhe bankingun digjital, ndryshimet klimatike, tendencat e rënduara demografike, si dhe një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më i ndërlikuar, po vë në provë ekonomitë, shoqëritë dhe paradigmat mbizotëruese të politikave tona. Mendoj se rruga për të ecur para është të mbetemi të përqendruar në objektivin tonë parësor, atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Aktualisht, duhet t’i njohim, t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë këto sfida, si dhe të reagojmë ndaj tyre nëpërmjet instrumenteve dhe politikës monetare.”

Në mbyllje të fjalës Guvernatori Sejko shtoi se Bankat Qendrore, duke u përballur me sfidat në rritje që vijnë nga revolucionet e vazhdueshme teknologjike dhe risitë financiare, duhet të rishikojnë në vazhdimësi praktikat ekzistuese dhe të përshtaten me realitetin e ri.

Klan News