Irani sulmoi me raketa Izraeli këtë të martë, diçka që ishte paralajmëruar më herët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Lexo më shumë).

BBC shkroi se mbi Tel Avivin u dëgjuan sirenat e luftës ndërsa edhe në Jeruzalem pati disa shpërthime.

Ushtria izraelite apeloi qytetarët që të qëndronin në gatishmëri dhe të ndiqnin me përpikmëri instruksionet.

“Ju kërkohet të qëndroni në një strehë deri në një njoftim tjetër. Shpërthimet që po dëgjoni ndodhin nga interceptimet në ajër ose predhat që bien. Ushtria po vazhdon të identifikojë dhe interceptojë raketat”, deklaroi forca mbrojtëse e Izraelit.

Pas rreth një ore pasi dha këtë njoftim, ushtria izraelite doli sërish në një deklaratë ku tha se qytetarët mund të dalin nga strehëzat e mbrojtjes, por gjithsesi të ndiqnin udhëzimet e tyre. Kjo siç duket shënoi edhe fundin e sulmit të Iranit.

Izraeli tha se sistemi i saj i mbrojtjes ajrore ishte plotësisht funksional. Po ashtu zëdhënësi i ushtrisë u shpreh se deri më tani nuk ka raportime për ndonjë të lënduar nga sulmi. Ai deklaroi se sulmi ishte i rëndë dhe do të ketë pasoja.

Nisja e sulmit u konfirmua edhe nga agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, e cila tha se ushtria nisi një sulm me raketa balistike kundër Izraelit.

Ata publikuan një deklaratë të Gardës Revolucionare Islamike duke konfirmuar lëshimin e dhjetëra raketave kundër Izraelit dhe duke kërcënuar me një sulm tjetër nëse Izraeli përgjigjet. Reuters thotë se drejt Izraelit u lëshuan rreth 200 raketa.

Garda Revolucionare e përshkroi sulmin si një përgjigje për vrasjen në Korrik të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah të premten dhe vrasjen e popullit libanez e palestinez.

Në deklaratë thuhej se forca e saj ajrore shënjestroi baza të rëndësishme dhe do të bëjë publike detaje të tjera më vonë.

Sirenat janë dëgjuar në të gjithë Izraelin

Pse Irani e sulmon Izraelin

Irani pati paralajmëruar hakmarrje pasi Izraeli vrau të premten Hassan Nasrallah-un, kreun e Hezbollahut. Kjo forcë është aleate e Teheranit në Liban.

Lideri suprem i Iranit tha pas vrasjes së tij se kjo ngjarje nuk do të kalojë pa u marrë hak. Pavarësisht kësaj, trupat izraelite nisën edhe një sulm tokësor edhe në Libanin Jugor. Forcat izraelite thanë se në shënjestër kanë disa fshatra që paraqesin rrezik për veriun e Izraelit.

Ushtria tha se po kryen bastisje ndaj Hezbollahut dhe synon që të sigurojë rikthimin e sigurt të banorëve në zonat kufitare që janë zhvendosur pikërisht prej sulmeve të Hezbollahut.

Irani sulmon me raketa Izraelin

Sulmi i dytë i Iranit

Në Prill të këtij viti Irani lëshoi me shumë se 300 raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Sulmi ishte si kundërpërgjigje ndaj atij që u krye në Konsullatën iraniane në Siri ku u vranë disa komandantë të lartë të saj.

Pas kësaj kanë ndodhur edhe incidente të tjera si për shembull vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.

Amerikanët thonë se Irani po bëhej gati për sulm që prej fundit të Gushtit, kohë kur u vra Haniyeh. Mirëpo Izraeli as pohon e as mohon ta ketë vrarë atë.

Sulmi me raketa në Izrael
Sulmi me raketa në Izrael

Paralajmërimi i SHBA-së

Sulmi me raketa u paralajmërua pak orë më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha gazetarëve se SHBA-ja po mbështet përgatitje për mbrojtje të Izraelit.

“Një sulm i drejtpërdrejtë nga Irani kundër Izraelit do të këtë pasoja të mëdha për vetë Iranin”, tha ai.

Përshkallëzimi i konfliktit rrit shqetësimin për shpërthimin e një lufte rajonale që tërheq në të edhe SHBA-në dhe Iranin. Pentagoni ka shtuar masat e saj në Lindjen e Mesme dhe po dërgon atje disa skuadrone me avionë luftarakë.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se SHBA-ja po i ndjek me kujdes të gjitha ngjarjet në Lindjen e Mesme.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbrojtjen e Izraelit. Po i shikojmë të gjitha zhvillimet, siç thashë, me shumë kujdes në këtë moment”, u shpreh ai.

“Aksi i Rezistencës”, aleatët e Iranit

Irani ka ndërtuar një rrjet aleatësh me grupe të armatosura në Lindjen e Mesme të cilat kundërshtojnë SHBA-në dhe Izraelin e që i referohen vetes si “Aksi i Rezistencës”.

Aty përfshihen Hezbollahu, Hamasi në territoret palestineze, Huthit në Jemen dhe disa milici shia në Irak e Siri./tvklan.al