Sot janë bërë 22 vjet që nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-së ndaj forcave ushtarake serbe. Sulmet që nisën më 24 Mars të vitit 1999 e zgjatën 78 ditë u bënë për të ndalur genocidin e Serbisë në Kosovë.

E as në këtë përvjetor si në ato të mëhershmet nuk kanë munguar reagimet nga Beogradi.

“Atë ditë ata donin të shkatërronin Serbinë, ta bënin pluhur, dhe në vend të kësaj ata shkatërruan ligjin dhe drejtësinë”, thuhet në një deklaratë drejtorit të të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, raporton Tanjug.

Sulmet e 24 Marsit të vitit 1999 kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbi-Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 Qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë tërheqjen nga Kosova.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike./klankosova