Atë e kemi njohur si këngëtar, kryesisht si pjesë e grupit West Side Family, por gjithashtu ai është angazhuar shpesh me çështje sociale. Tashmë prej gati 2 vitesh ai i është përkushtuar një nisme sociale, si pjesë e “Special Olympics Albania”, një organizatë jofitimprurëse që ka në fokus personat me aftësi të kufizuar mendore/intelektuale.

Roland Hysi, në pozicionin e drejtorit ekzekutiv, ishte sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan së bashku me dy “atletët”, 19-vjeçarin Gersi Troka që ka pasion notin dhe Lulëzim Koçi, 24-vjeçarin e apasionuar pas atletikës. Në muajin Mars, Troka dhe Koçi do të marrin pjesë në “Special Olympics World Games 2019”, si përfaqësues të “Special Olympics Albania”.

Organizata e akredituar më datën 6 Prill 2018 nga “Special Olympics International”, ka si synim të përcjellë vlera jo vetëm për komunitetin e personave që kanë aftësi ndryshe intelektuale, por edhe më gjerë. “Plan to Include” është nisma më e fundit e “Special Olympics Albania”, e cila synon ndërgjegjësimin mbi gjithëpërfshirjen përmes sporteve të personave me aftësi të kufizuara.

Ka qenë koicidencë që unë me djemtë kemi kënduar në “Special Olympics” më parë. Unë kam qenë pjesë e aktiviteteve vullnetare dhe mbështetës social. Aktiviteti im tërhoqi vëmendjen e Endrit, i cili më pyeti nëse mund të bëhesha pjesë. Jemi të shtrirë vetëm në Tiranë aktualisht, por duam ta shtrijmë aktivitetin në të gjithë Shqipërinë. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të na bashkohen për të zhvilluar aktivitete në gjithë Shqipërinë. Sporti është provuar që sjell një mori të mirash dhe fokusi jonë është sporti dhe trajnimi të paktën 2 herë në javë në disiplinat që ne zhvillojmë”,

tha Hysi.

“Unë kam filluar me notin që në moshën 9-vjeçare. Zgjodha notin sepse kam pasion të notoj. Unë mund t’i bie rrotull pishinës 100 herë. Kam marrë pjesë në disa aktivitete dhe kam marrë disa çmime

”, tha Gersi.

“Po përgatitemi për në Abu Dhabi. Unë stërvitem çdo ditë, një herë ose dy herë në ditë”,

tha Lulëzim Koçi.

/tvklan.al