El Clasico është një nga ato ndjeshje që ka aftësinë që të magjepsë miliona shikues nga e gjithë bota. Jo vetëm tifozët e Real Madridit dhe Barcelonës e presin me padurim, por ka edhe të tjerë shikues neutral që e shikojnë thjesht për kënaqësi, duke mos u përfshirë emocionalisht me njërën skuadër apo tjetrën.

Në mes të shikuesve të shumtë në gjithë botën që ndoqën ndeshjen e mbrëmjes së djeshme, ndër ato ishte edhe Shakira, e cila më parë ishte shumë e lidhur me Barçën. Ylli kolumbian shpërndau në rrjetet sociale një fotografi që tregon vëmendjen e saj ndaj kësaj beteje të rëndësishme të La Liga-s.

Megjithatë, përtej ndeshjes duket se arsyeja e fortë pse Shakira ndoqi “El Clasicon” e mbrëmjes së djeshme ishin banerat rreth fushës së futbollit, ku dukej qartë emri i saj i “gdhendur” aty.

“Banerat. Një arsye mjaft e mirë për të parë El Clasico”, shkroi ajo krahas një fotoje të një ekrani televiziv që transmetonte ndeshjen.

Shakira ka qenë më parë shumë e lidhur me skuadrën e Barcelonës dhe shpeshherë ka ndjekur nga afër betejat e kësaj skuadre, duke qenë se edhe ish-partneri i saj, futbollisti Pique ka qenë pjesë e saj deri në Nëntor të 2022-shit kur njoftoi se do të tërhiqej nga futbolli.

Ndërkohë, super ndeshja e kampionatit spanjoll e cilësuar si El Clasico mes Real Madridit dhe Barcelonës përfundoi me fitoren e madrilenëve me rezultatin 3 me 2./tvklan.al