Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dënuar sulmet e “drejtpërdrejta dhe të tërthorta” kundër SPAK-ut së fundmi. Ambasada amerikane ka përshëndetur qëndrimin që ka mbajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas deklaratave të ish-Presidentit Ilir Meta kundër kreut të SPAK, Altin Dumani dhe thekson se SHBA-ja do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, u shpreh ambasada e SHBA nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale.



Të martën, Këshilli i Prokurorisë dënoi “çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.



Sipas KLP-së, çdo subjekt i përshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë (Lexo më shumë).

“Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta. Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush“, tha KLP.

SPAK

Reagimi i KLP-së erdhi pas akuzave të ish-Presidentit Meta. Ky i fundit kur ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan të hënën tha se sipas të dhënave të tij, SPAK ka nisur hetimin për çështjen e CEZ-it pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal.

“SPAK ka nisur hetim në Dhjetor 2019 për çështjen e CEZ-it sipas të dhënave të mia pas takimeve edhe të Altin Dumanit me McGonigal-in, amerikanin e Edi Ramës”, tha Meta.



Në lidhje me këtë deklaratë reagoi vetë kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai u shpreh se nuk e ka takuar kurrë McGonigal dhe se gjithçka thuhet në media kundër tij, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton (Lexo më shumë).

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha Dumani./tvklan.al

Altin Dumani, kreu i SPAK