Trupat amerikane nuk do të tërhiqen nga Siria, pa u garantuar se grupet militante të kurdëve nuk do të preken nga ushtria turke. Kështu u shpreh këshilltari i Presidentit amerikan për sigurinë kombëtare John  Bolton, para gazetarëve në nisje të turit të vizitave në Izrael e Turqi.

“Nuk besojmë se turqit do të ndërmarrin veprime ushtarake që nuk janë të koordinuara dhe të miratuara nga Shtetet e Bashkaura. Këto veprime,  minimalisht nuk duhet të rrezikojnë trupat tona por duhet të përmbushin edhe kërkesën e presidentit Trump për të mos cënuar as forcat opozitare siriane që luftuan në krahun tonë”.

Turqia i konsideron terroristë militantët kurdë. Presidenti Trump urdhëroi në Dhjetor tërheqjen e mbi 2 mijë ushtarëve amerikanë pasi sipas tij Shtetit Islamik tashmë ishte eleminuar.

Mëgjithatë nuk mendonte kështu ish-Sekretari i Mbrojtjes, gjenerali James Mattis, i cili thoshte se ISIS vijonte të përbente rrezik. Mosmarrëveshjet për këtë çështje me presidentin çuan në dorëheqjen e tij. Së fundi, nga Pentagoni është larguar edhe shefi i stafit, kundëradmirali Kevin Sweeney.

Veç problemeve me politikën e jashtme, qeveria amerikane mbetet e bllokuar për të tretën javë, pasi Presidenti Trump e ka kushtëzuar miratimin e buxhetit me mbështetjen që demokratët duhet të japin për fondin e ndërtimit të murit me Meksikën.

Tv Klan