Departamenti i drejtësisë e akuzon për monopolizimin e tregut të smartfonëve dhe dëmtimin e konkurrencës

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur një padi ndaj kompanisë Apple, duke e akuzuar kompaninë gjigande të teknologjisë për monopolizimin e tregut të smartfonëve.

Padia vjen pas vitesh të tëra akuzash nga kritikët se Apple ka dëmtuar konkurrencën me kushtet, tarifat e larta dhe qasjen e saj ndaj harduerit dhe softuerit të saj duke dekurajuar inovacionin, si dhe duke i mbajtur çmimet të larta në mënyrë artificiale.

“Apple i ka lidhur konsumatorët pas iPhone-it dhe ndërkohë i ka përjashtuar konkurentët nga tregu”, tha zëvendës prokurorja e përgjithshme, Lisa Monaco. Sipas saj gjigandi teknologjik është përpjekur të bëjë dëm konkurentëve të saj.

Në një deklaratë pas depozitimit të padisë Kompania Apple u shpreh se padia është e gabuar, si për nga faktet ashtu edhe nga kuadri ligjor dhe tha se do të mbrohet me forcë ndaj saj.

Kjo padi ka në objektiv mënyrat se si kompania Apple i jep formë teknologjisë së saj dhe marrëdhënieve të biznesit për të përfituar më shumë para nga konsumatorët, prodhuesit e programeve dhe përmbajtjes, artistët, botuesit, bizneset e vogla dhe tregtarët dhe synon të ndalë sabotimin nga kompania Apple të teknologjive që konkurojnë me vetë aplikacionet e saj.

E ngritur së bashku me prokurorët e përgjithshëm të 16 shteteve është shembulli më i fundit i zbatimit të ashpër të ligjeve anti-monopol nga Departamenti i Drejtësisë, i cili u është kundërvënë edhe kompanive Amazon, Google dhe gjigandëve të tjerë të teknologjisë, me objektivin për ta bërë universin digjital më të drejtë, më novator dhe më konkurues. Kjo është hera e tretë që në 2009 kur Departamenti amerikan i Drejtësisë hodhi në gjyq kompaninë.

Klan News