4 raste të tentativës së trafikimit të kanabisit me postë nga SHBA në Shqipëri janë kapur në 3 muajt e parë të 2024 nga Policia e Tiranës, ku në pranga kanë rënë 6 persona dhe sekuestruar rreth 10 kilogramë drogë.

Kjo metodë e përdorur, sipas Shefit të Krimit të Organizuar në Policinë e Tiranës, Arbër Zemanit po kthehet në një rrugë të re të trafikut të kanabis nga SHBA, drogë kjo e një cilësie tejet të lartë.

Për goditjen e kësaj linje, policia ka vënë në dijeni dhe autoritet amerikane, me qëllim identifikimin e personave që nisin kanabisin nga SHBA.  

“Janë rrugë të reja të cilat po ndiqen nga trafikantët e lëndëve narkotike për të sjellë këtë lloj kanabisi në Shqipëri. Lëndë narkotike e cila ka përqindje THC shumë të lartë, që do të thotë se është shumë më i fortë se kanabisi i zakonshëm dhe ka një vlerë shumë më të lartë pothuajse 10-fish”, tha ai.

Të arrestuarit e këtyre tentativave janë persona nga mosha 20 deri në 30 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal. Kjo e shkuar e tyre, sipas policisë mund t’i ketë ndihmuar në krijimin e njohjeve me persona që jetojnë në SHBA, me qëllim realizimin e trafikut të kanabisit përmes postës.

“Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë persona që kanë pasur precedentë kriminal po në këtë fushë në drejtim të trafikimit ose shpërndarjes së lëndëve narkotike. Një pjesë e tyre madje edhe jashtë vendit, në Britaninë e Madhe kanë qenë të dënuar po për këtë aktivitet, për kultivimin në ambiente të mbyllura dhe shitjen e lëndëve narkotike”, u shpreh Zemani.  

Rasti më i fundit i tentativës së trafikimit të kanabisit me postë nga SHBA ishte paraditen e së premtes, kur Policia e Tiranës kapi 3.2 kilogramët me kanabis, për të cilën në pranga ranë 2 të rinj.

Tv Klan