Katër persona kanë mbetur të vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur pas një sherri që ka ndodhur gjatë natës në Velipojë. Policia e këtij qyteti sqaron se gjithçka ka nisur rreth orës 00:30 në Velipojë në zonën e njohur si Pulaj.

Një konflikt mes dy familjeve ka degraduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit dhe për pasojë katër persona kanë mbetur të vdekur. Viktimat e këtij sherri janë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.

Ndërkohë të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç që njihet dhe me mbiemrin Verracaku dhe  Elmilind Dyli 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirë në konfliktin e armatosur.

Në vend ngjarje kanë shkuar forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, por dhe një grup special i RENEA. Po ashtu bëhet me dije se dhe drejtuesit më të lartë të policisë kanë shkuar në vendin ku ndodhur ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Shkodrës.

Hetuesit po punojnë për zbardhjen e ngjarjes, por deri tani mësohet se gjithçka ka ndodhur pas sherrit për shezlongët, pasi personat e përfshirë kanë hotelet shumë pranë njëri-tjetrin në zonën e plazhit në Velipojë./tvklan.al

Krimi i rëndë në Shkodër, drejtori i policisë: Sherri për çadrat dhe shezlongët, janë përdorur disa armë gjatë konfliktit

Drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj, ka dhënë një deklaratë për mediat pas krimit të rëndë që tronditi qytetin verior gjatë natës.

Brahimaj për mediat u shpreh se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi viktimat dhe të plagosur janë pronar hotelesh dhe u konflikuan për zonën që do të shfrytëzonin në plazhin e Velipojës, për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve.

Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongeve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona.

Policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë. Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë”, u shpreh Brahimaj.

“Lufta” në Velipojë, pushuesit largohen nga hoteli ku ndodhi ngjarja

Në hotelin ku mbrëmjen e kaluar ndodhi ngjarja e rëndë me 4 viktima ka rënë qetësia. Pushuesit që kishin ardhur për pushime aty kanë nisur të largohen.

Njëri prej tyre për mikrofonin e Klan News ka treguar atë çfarë ka parë dhe dëgjuar nga nata e mbrëmshme. Ai thotë se ka pasur shumë të shtëna me armë dhe ndihet i frikësuar.

“Kishte krisma kallashi gjithë natën. Po largohem tani, nuk rrihet, ne kemi ardhur për qejf. Ka pasur krisma kallashi tërë natën, kam ardhur nga Kosova nga Podujeva”, ka thënë një pushues.

Ndërsa një pushues tjetër shprehet se nuk do të largohet nga Velipoja por do të shkojë në një hotel tjetër për të vijuar pushimet.

Flet babai i dy djemve të vrarë në Velipojë: Më është fikur dera e shtëpisë, për çfarë më duhet jeta

Pjetër Gocaj, babai i dy vëllezërve të vrarë në Velipojë, ka thënë se është i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur gjatë natës. Babai i Xhovan dhe Edmond Gocaj për mediat është shprehur se me familjen tjetër nuk ka pasur konflikte dhe fajin e hedh tek shteti.

I tronditur ai thotë se ngjarja duhet të zbardhet dhe të shkojnë para drejtësisë autorët, pasi djemtë ia vranë në derë të shtëpisë. Po ashtu tregon se i gjithë konflikti ka ndodhur për shezlongët, pasi një pjesë e plazhit administrohej nga të dyja familjet.

Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë me kujt, mua me është fikur dera e shtëpisë. Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di qe për shezlong. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë, me kanë vrare dy djemtë. Çfarë me duhet jeta me. Vitin e kaluar i kam pasur unë shezlongët, këtë vit ia kanë dhënë atij.

Ne kemi pritur që të ndahen shezlongët sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi. Uroj mos t’i ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe. Asgjë nuk dimë.

Më kanë vrarë djemtë. Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh të parin që ishte me dokumente angleze i cili ka ardhur për të investuar dhe punuar. Pastaj qëlluan edhe djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qenë këtu”, ka thënë Pjetër Gocaj.

Foto | Kush janë dy nga viktimat e përplasjes me armë në Velipojë

Personat që shihni në foto janë dy nga viktimat e përplasjes me armë që ndodhi gjatë natës në Velipojë. Kujtim Ferracaku është një nga anëtarët e familjes Ferracaku, i cili ka shkuar në hotelin e familjes Gocaj dhe është konfiktuar me armë por mbeti i vrarë.

Kujtim Ferracaku

Ndërkohë personi tjetër është Xhovan Gocaj, një nga dy djemtë e familjes Gocaj që mbeti i vrarë. Siç mësohet deri tani ai bashkë me vëllain e tij dhe persona të tjerë kanë qenë në hotelin e familjes, por aty janë sulmuar me armë.

Xhovani Gocaj

Nga ngjarja e rëndë kanë mbetur të vrarë dhe  Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, i cili punonte si kamerier në hotelin e familjes Gocaj.

“Lufta” për shezlongët në Velipojë, Voltana Ademi akuza institucioneve shtetërore

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Velipojë dhe hedh akuza tek institucionet shtetërore. Sipas saj humbja e 4 jetëve mund të ishte shmangur nëse do të kishte një reagim si duhet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, që sipas saj duhet të kishin ndarë në afat hapësirat e plazhit për bizneset.

Ademi meë tej hedh dhe akuza ndaj Policisë së Shtetit, pasi siç thtoë ajo “nëse do të kishin vepruar pērpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm“.

Reagimi i plotë i Voltana Ademit:

Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjensia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.

Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar pērpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm.

Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit.Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimarrje të vonuara apo të munguara të shtetit.

Detaje të reja nga ‘lufta’ në Velipojë, u përdoren 4 armë. Si ndodhi e gjithë

Vrasja e 4 personave pas përplasjes mes dy familjeve ka tronditur të gjithë qytetin e Shkodrës dhe ka ngjallur frikë tek pushuesit që kanë nisur të largohen nga zona.

Burime për Tvklan.al bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes ka pasur dhjetëra të shtëna me armë. Po ashtu bëhet me dije se në këtë ngjarje janë përdorur katër tipe armësh, pasi uniformat blu kanë gjetur 4 lloje të ndryshme gëzhojash.

Deri tani është sekuestruar një armë dhe po punohet për gjetjen e armëve të tjera që mësohet se janë përdorur në këtë ngjarje të rëndë.

E gjithë përplasja me armë ka ndodhur pasi familja Ferracaku ka shkuar në hotelin e familjes Gocaj dhe kanë nisur të qëllojnë me armë. Më pas këta të fundit u janë kundërpërgjigjur dhe në fund bilanci është tragjik, 4 viktima dhe 2 të plagosur.

“Lufta” në Velipojë, Basha: Familjet shqiptare janë në rrezik

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hedh akuza të rënda kundër Policisë së Shtetit pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Velipojë. Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se ngjarje të tilla ndodhur kur policia kthehet në një vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe krimin.

Më tej kreu i PD shton se jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik dhe thotë se Kryeministri Edi Rama nuk e fsheh dot përgjegjësinë.

“Kur policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik.

Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë”, shkruan Basha.

“Lufta” për shezlongët në Velipojë, kamerieri i vrarë kishte nisur punë një ditë më parë

Përplasja me armë mes familjes Ferracaku dhe Gocaj nuk ka kursyer as kamerierin e një prej hoteleve. Burime për Tvklan.al bëjnë me dije se Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç punonte si kamerier në hotelin e familjes Gocaj.

Ai ndodhej bashkë me anëtarët e familjes Gocaj dhe punëtorë të tjerë në momentin kur familja Ferracaku ka nisur t’i sulmojë me armë.

Mësohet se Zeneli arriti që të punonte vetëm një ditë si kamerier, pasi ai mbeti viktimë e plumbave të shumtë që u shkëmbyen mes dy familjeve në Velipojë pas sherrit për shezlongët.

“Lufta” në Velipojë, disa të shoqëruar. Policia sekuestron kamerat e sigurisë

Disa persona janë shoqëruar nga policia e Shkodrës në lidhje me masakrën që ndodhi në Velipojë. Sipas Klan News ata janë marrë në pyetje nëse kanë patur dijeni për ngjarjen ndërsa hetuesit kanë sekuestruar edhe kamera të sigurisë së hoteleve dhe bizneseve në zonë.

Burime bëjnë të ditur se gjatë përplasjes së armatosur janë përdorur 4 lloje armësh nga të cilat është qëlluar duke shkaktuar edhe bilancin tragjik me 4 të vdekur dhe 2 të plagosur.

E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në hotelin e familjes Gocaj. Familja Ferracaku ka shkuar në hotelin e familjes dhe pas debatit verbal nisi dhe përdorimi i armëve të zjarrit. Dy familjet mësohet se prej ditësh kishin debate për zonën e plazhit dhe vendosjen e çadrave./tvklan.al