Vetëm gjatë një jave, nga pika kufitare e Portit të Durrësit kanë hyrë 6517 persona dhe 1652 automjete, ndërsa nga vendi kanë dalë 20.562 qytetarë dhe 5734.

Këto janë shifrat zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin e Durrësit. Sipas këtyre të dhënave, vetëm në javën e parë të vitit 2018 nga Shqipëria kanë dalë dyfishi i qytetarëve që kanë ardhur në vendin tonë.

Sa i përket ruajtjes së rendit, nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin e Durrësit janë goditur në total 21 raste të paligjshmërisë, në fushën e falsifikimit të dokumentave, kalimit të paligjshëm të kufirit, kontrabandës, trafikimit të mjeteve motorrike, apo të braktisjes së fëmijëve.

Më konkretisht, janë arrestuar 2 shtetas si dhe janë proceduar 11 shtetas të tjerë, për “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”,  pasi janë  kapur në flagrancë nga forcat e Policisë Kufitare në terminalin e përpunimit të pasagjerëve, në Portin e Durrësit, duke tentuar për të  kaluar kufirin në mënyrë të kundraligjshme për në Itali, me dokumenta të falsifikuara ose   duke shfrytëzuar ngjashmërinë .

Po gjatë kësaj jave, janë evidentuar dhe proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët kanë tentuar të kalojnë  për në Itali , duke ju shmangur kontrollit në terminal, por janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare   në Terminal në tentativë për tu larguar me traget.

Gjithashtu është proceduar penalisht  një shtetase për “Braktisja e fëmijëve të mitur”, pasi kjo shtetase  pasi ka kaluar për në Itali,  ka udhëtuar në drejtim të Gjermanisë dhe aty ka braktisur të dy fëmijët  e mitur 11 vjeç e 12 vjeçe.

Po nga Sektori i Hetimit në DVKM Durrës është evidentuar dhe goditur një rast për “Trafikim të mjeteve motorrike”, ku është proceduar  penalisht një shtetas, pasi në hyje në protin e Durrësit, automjeti tip “Renault”, rezultoi i vjedhur në Francë.

Si dhe janë  evidentuar dhe goditur edhe tre raste të kontrabandës me cigare, ku janë proceduar penalisht tre shtetas, pasi në automjetet e tyre janë gjetur të feshura në tavanet dhe dyert e automjeteve steka me cigare të llojeve të ndryshme.

/tvklan.al