I qeshur, doli kryetari i LSI-së Ilir Meta në bashkëbisedimin me gazetarët, pas ndryshimeve në qeveri, një ditë pas shkarkimit të ministrit që vinte nga partia e tij, Ylli Manjani.

I pyetur nga gazetarja e Tv Klan, nëse Ilir Meta u dorëzua para Edi Ramës për shkarkimin e Manjanit, Meta tha:

Ta fillojmë me dorëzim, Ilir Meta në vitin 2008, 2009 dhe LSI dhe pse forcë shumë e re nuk u dorëzua. 

Kur dy kolegët e mi, Rama dhe Berisha u bashkuan si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë për të bërë ndryshime kushtetuese që synonte eliminimin e LSI, Ilir Meta nuk u dorëzua ndaj dy partive. Pas 2009 u bë faktor stabiliteti në vend dhe faktor që Shqipëria të ec përpara dhe pse në një koalicion të vështirë dhe të parashikueshëm… Meta nuk dorëzohet nga asnjë lloj presion, as nga Rama, as nga Berisha, nga Basha sigurisht që jo…

Sa i përket akuzave të bëra nga Ylli Manjani për qeverinë, në konferencën për shtyp pas shkaktimit, Meta tha:

 Ka fol shumë LSI, ka fol një herë Erisa Xhixho dhe pas konferencës së Manjanit ka folur dhe Luan Rama. Unë jam për çështje më të rëndësishme se aq. Të gjithë së bashku të hedhim sa më pak shashka. Çdo ministër, ish – ministër, kryeministër, ish – deputet etj… që ka fakte për implikimin e cilido politikani duhet të ndjekë rrugën e drejtësisë. Unë kam qenë gjithmonë për rrugën institucionale, kjo është rruga e zgjidhjes së problemeve, në mos vendi do vazhdojë edhe 26 vite të tjera me retorika shfajësuese duke mos konsoliduar shtetin ligjor dhe nivelin e duhur të ndëshkueshmërisë. Luftimi i të gjithë këtyre fenomeneve luftohet vetëm në këtë mënyrë dhe forcimi i shtetit i shqiptar. Kush del jashtë këtij mesazhi institucional, parimor e konstruktiv sigurisht që ka përgjegjësi në etikë.

Ylli Manjani u shkarkua të hënën nga detyra dhe në vend të tij u propozua një tjetër përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ndërsa qeveria ju përmbajt një formulimi të përgjithshëm për motivet e vendimit, vetë Manjani hodhi një lumë kritikash ndaj qeverisë, duke folur për një hakmarrje të kryeministrit për shkak të qëndrimeve të tij publike ndaj fenomenit të kultivimit të marijuanës dhe kundërshtimeve që siç tha ai, i kishte bërë disa praktikave korruptive.

Fundjava e shkuar ishte e mbushur me një breshëri sulmesh ndaj qeverisë nga eksponentë të ndryshëm të LSI, e cila vazhdon të mos i përgjigjet ftesës së kryeministrit për t’u rreshtuar së bashku edhe në zgjedhjet e qershorit./ tvklan.al