Nuk mbante maskë dhe kundërshtoi efektivët e policisë

Autoritetet në Tiranë shoqëruan në ambientet e policisë këtë të shtunë ish-deputetin Kastriot Islami.

Burime nga policia bëjnë të ditur se Islami u ndalua në rrugën “Sulejman Delvina”, pasi gjatë kontrolleve për zbatimin e masave anticovid, ai është konstatuar pa maskë dhe ka kundërshtuar e fyer punonjësit e policisë, kur këta të fundit i kërkuan kartën e identitetit dhe të vinte maskën.

Në këto kushte, policia thotë se e shoqëroi ish-deputetin në komisariat për veprime të mëtejshme. Ai u la i lirë pak kohë më vonë.

Vetë Islami reagoi në një postim në rrjetet sociale, ku shkruajti: “Jam në shtëpi…! Si çdo ditë, po bëja ecjen e përditshme me veshje sportive nga parku i Tiranës në drejtim të shtëpisë… Gjykoj se ishte Edi Rama që më ndaloi dhe forcërisht, më izoloi në komisariat për rreth 1 orë e 30 minuta… Sepse ju prezantova që jam Kastriot Islami dhe përsëri përdorën forcën ndaj një profesori dhe një figurë publike… ! Më shumë ndoshta do të sqaroj në vijim… Falenderoj të gjithë ata miq që më mbështetën me telefonata dhe mesazhe”./tvklan.al