Numri i të vdekurve në shpërthimin me bombë në Mogadishu të Somalisë javën e kaluar ka shkuar në 358, ndërsa 56 persona të tjerë janë shpallur të humbur.

Autoritetet besojnë se pas këtij  sulmi fshihet grupi islamik al-Shabab i lidhur me al-Kaedën. Megjithatë, askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin deri tani.

Një kamion i mbushur me eksploziv shpërtheu në një kryqëzim të populluar duke shkatërruar hotele, zyra qeverie dhe restorante.

Sidoqoftë është e paqartë nëse vendi i ngjarjes ishte synimi i sulmit apo shoferi shpërtheu eksplozivin sepse kishte filluar të kuptonte se po dyshonin mbi të.

Ai e shpërtheu eksplozivin pranë një çisterne me naftë duke shkaktuar dëme të mëdha.

228 persona u plagosën prej shpërthimit, prej të cilëve 122 janë dërguar në Turqi, Sudan dhe Kenia për t’u trajtuar.

/tvklan.al