Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se prej ditës së diel, Shqipëria ka dalë nga zona e riskut sa i përket situatës pandemike. Por a do të thotë kjo se do t’i rikthehemi jetës pa kufizime? Në studion e “Opinion”, Manastirliu thotë se kjo është dëshira e të gjithëve, përfshirë edhe e saj, që masat të vijnë duke u lehtësuar. Megjithatë ajo shprehet se kjo do t’i mbetet gjykimit dy javor.

“Do t’i mbetet një gjykimi dy javor, pra është e vërtetë që Shqipëria, ashtu sikurse edhe institucionet prestigjioze, si institucioni Robert Koch, e ka deklaruar që Shqipëria ka dalë nga zona e riskut dhe prej ditës së djeshme në fakt ne kemi dalë nga zona e riskut. Që do të thotë që kemi një incidencë të ulët. Sigurisht dalja për Gjermaninë do të thotë që ky është një vlerësim përtej BE-së, sepse dalja nga zona e riskut do të thotë që Shqipëria, ashtu sikurse edhe vende të tjera që janë radhitur krah Shqipërisë, janë vende që kanë një incidencë të ulët, pra nën 50 raste të infektimeve në 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit”. 

“Kjo do të thotë që ne kemi një situatë të kontrolluar të epidemisë në vend dhe që aktualisht, jo vetëm numrat e incidencës, por edhe situata në spitale, dhe rastet e fatalitetit kanë ardhur në ulje dhe do thotë që pandemia në Shqipëri është e kontrolluar. Dëshira që të gjithë kemi, është që padyshim të kemi një lehtësim të masave të mëtejshme. Duhet të kuptojmë që Shqipëria përgjatë gjithë kësaj kohe ka patur masa të shënjestruara, nuk kemi patur izolime totale. Mos harrojmë që Europa, vendet e rajonit kanë qenë totalisht të izoluara, ndërkohë që ne me masat e shënjestruara që kemi ndërmarrë vetëm përgjatë 5 muajve, 10 javë në këto muaj e pak, jemi në një situatë shumë më të mirë”, tha Ministrja./tvklan.al