OKB publikon raportin për drogën

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin global për drogën dhe krimin, ku konstaton se Shqipëria dhe Holanda janë dy shtetet kryesore në Europë si vende të origjinës, nisjes dhe tranzitit të barit të kanabisit.

Raporti, i cili bazohet në analizën e të dhënave direkte dhe indirekte për periudhën 2014-2018, tregon se një sërë vendesh kanë kultivim më të madh të kanabisit në raport me shtete të tjera në të njëjtin rajon. Kështu, kur flitet për Europën Juglindore përmendet vetëm Shqipëria si vend kryesor për prodhimin e kanabisit në rajon. Ndërsa në Europën Perëndimore përmenden Holanda, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Belgjika.

Raporti gjithashtu jep të dhënat edhe për rrëshirën, apo substancën që nxirret nga presimi i kanabisit, ku Shqipëria sërish përmendet si një nga vendet kryesore të prodhimit të saj, por kësaj here jo në vetëm në Europë, por në botë. Sipas grafikut që publikohet në këtë raport, vendi ynë renditet i gjashti në botë për prodhimin e rrëshirës së kanabisit për periudhën 2014-2018.

Para saj renditen vende të njohura prodhimit të drogave si Maroku, Afganistani, Pakistani, Libani dhe Irani. Ndërkohë që Holanda dhe Spanja renditet pas Shqipërisë. Sa i përket gjendjes globale, raporti thekson se përdorimi i drogës në të gjithë botën ka qenë në rritje.

Tv Klan