Edhe pse detyra kryesore ishte të mbrohej dhe të shpresonte në ndonjë hapësirë të mundshme të Spanjës, Shqipëria e humbi 3-0 ndeshjen e luajtur në Alicante.

Në 30 minuta në pjesën e parë spanjollët treguan se e meritojnë emërtimin “La furia roja”.

Vetëm 16 minuta i janë dashur Spanjës për të gjetur rrjetën e portës së Etrit Berishës. Isco pasoi në qendër të zonës shqiptare. Rodrigo kontrollon me gjoks dhe është më parë në kohë me mbrojtjen shqiptare duke thyer Berishën.

Mbrojtja shqiptare në gjumë dhe spanjollët përfitojnë për të shënuar të dytin vetëm 7 minuta më pas me Isco. U duk se situata do të ndryshonte kur Llullaku goditi traversën por shumë shpejt erdhi goli i tretë i spanjollëve. Ishte radha e Thiago Alcantara.

Në fund të pjesës së parë Pique bën një gafë duke na dhuruar një top por edhe ky rast nuk u shfrytëzua.

Në pjesën e dytë Panucci bën dy zëvendësime. Në vend të Memollës futet Sadiku ndërsa Agolli futet në vend të Balliut.

Nuk ndryshon asgjë pasi spanjollët jo vetëm dominojnë lojën por godasin disa herë portën shqiptare. Më pas spanjollët ulin disi ritmin por jo dëshirën për të shënuar. Shqipëria u orvat të gjejë golin me Sadikun por u ndal nga shtylla.

Mundësi kishte edhe Liridon Latifi dhe sërish Sadiku, por De Gea dhe fati nuk ishin me ta.

Spanja vazhdon të kryesojë grupin e ndjekur nga Italia që barazoi 1-1 me Maqedoninë, Shqipëria mbetet në vendin e tretë ndërsa Izraeli fitoi 1-0 me Lichtenstein./Tv Klan