Qytetarët vijojnë të neglizhojnë rrezikun

Mbi 1000 persona rezultojnë thuajse çdo ditë pozitiv nga Covid-19 këtë fillim shkurti, por masat shtrënguese mbeten të njëjta prej Nëntorit të 2020-ës. Duke përjashtuar periudhën e festave të fundvitit, vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve nuk kanë ndryshuar, me gjithë rritjen drastike të kurbës së infektimeve.

Në 17 Nëntor 2020, ekspertët kërkuan të ndalen edhe grumbullimet me më shumë se 10 persona, ceremonitë si dhe tubimet, krahas kufizimit të lëvizjes nga ora 22:00 të mbrëmjes deri në 6:00 të mëngjesit.

Këto rregulla hynë në fuqi kur në vend shënoheshin 694 infektime ditore, ndërsa vetëm në 5 ditët e para të shkurtit shënohet një mesatare prej  991 personash pozitiv me Sars-CoV-2.

Ndaj masave kufizuese edhe qytetarët tregohen indiferentë.

“Përballë përkeqësimit të situatës nga Covid-19, masat që mbeten në fuqi dhe që apelohen me forcë nga ekspertët e shëndetësisë janë mbajtja e maskave dhe shmangia e grumbullimeve. Duket qartë që edhe këto masa nuk po respektohen më”.

Mbajtja e maskës nga qytetarët neglizhohet masivisht nga kryeqytetasit. Kafenetë janë çdo ditë të stërmbushura, me tavolina ngjitur me njëra-tjetrën.

Krahas këtyre planeve që tregojnë se alarmi i kuq është i ndezur, të vetmet që qëndrojnë mbyllur janë Universitetet dhe shkollat që vijojnë mësimin e kombinuar online dhe fizik.

Tv Klan