Shqipëria për tre ditë me rradhë do të ketë stendën e saj në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit që mbahet në Berlin. Këtë vit shifrat janë shumë optimiste pasi sipas shifrave të publikuara në dy muajt e parë të këtij viti ka pasur më shumë se 1 milionë të huaj që kanë vizituar vendin tonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një lidhje direkte nga Berlini për Klan News jep më shumë detaje lidhur me këtë event ku ndër të tjera u shpreh se prezenca e Shqipërisë në këtë panair është shumë e rëndësishme për disa arsye.

“Është shumë e rëndësishme prezenca jonë këtë vit në Panairin e Berlinit për disa arsye. E para sepse është panairi më i madh në botë për turizmin. E dyta sepse vjen në rritje nga prezenca jonë në panairin e kaluar siç e shikoni me një stendë më të madhe kësaj rradhë. Ne firmosim këtë vit në Berlin marrëveshjen për Shqipërinë si vendi i nderit për Panairin e Berlinit 2024-2025, pra fillojmë një bashkëudhëtim promovimi në të gjithë botën me panairin më të madh në botë duke filluar nga ky Mars deri në Marsin 2025 ku Shqipëria do të jetë qendra e vëmendjes e të gjithë panairit”, u shpreh ministra Kumbaro.

Ndër të tjera Kumbaro tha se shifrat e turistëve për dy muajt e parë të këtij viti tregojnë vazhdimësinë e trendit të një viti më parë ku turizmi njohu një rritje të madhe në vendin tonë duke shënuar mbi 10 milion turistë. Kumbaro shprehet se tur-operatorët konfirmojnë se kanë 35-40% më shumë angazhime se një vit më parë, fakt i cili tregon se shifrat e turistëve këtë vit pritet të jenë më të larta. Por kjo nuk është sfida jonë sipas ministres pasi këtë vit sfida është cilësia dhe shërbimi i mirë.

“Nuk besoj se është kjo sfida jonë. Ne e kemi fituar garën me shifrat. Ne sfidën e kemi me cilësinë, shërbimin, me ruajtjen e standardit dhe me faktin që turistët duhet të jenë të kënaqur pasi ato do të jenë ambasadorët më të mirë të turizmit shqiptar”, shprehet Kumbaro.

Ndërkohë gjatë fjalës së saj Kumbaro shprehet se synimi tashmë është tek turizmi elitar dhe jo tek turizmi masiv dhe kjo për disa arsye ku përmendi edhe mbrojtjen e mjedisit si dhe cilësinë e shërbimit.

“Sfida nuk është vetëm e qeverisë, është e Shqipërisë. Turizmi është një sektor ku një peshë mban edhe biznesi dhe sektori privat. Unë mendoj që viti 2024 do të jetë ‘prova e zjarrit’ prandaj duhet ta përballojmë të gjithë bashkë. Është një sfidë me shumë aktorë. Synimi ynë është turizmi elitar, hotelet me 4 apo 5 yje dhe markat mëdha ndërkombëtare janë një element standarti. Fakti që në 5 vitet e fundit kemi emra të rëndësishëm të hotelerisë botërore tregojnë që ne po i përmbushim. Ajo që kemi vënë si objektiv sepse nuk po punojmë për 2024 as për 2025 po punojmë për objektivin Shqipëria 2030, dhe të gjitha këto janë tulla të një murri që themelet i ka të sigurta tashmë. Arsyeja kryesore për të cilën theksoj se na duhet turizmi elitar ka të bëjë mjedisi. Që ne ta mbrojmë mjedisin rreziku që na kanoset është turizmi masiv, që nuk sjell të ardhura. Ne na duhet turisti që paguan shumë në një ditë. Duhet të kuptojmë që ky turisti që quhet elitar kërkon standarde, shërbim, aeroporte të reja, hotele me standarte dhe prandaj nxisim këtë lloj turizmi në rradhë të parë për të mbrojtur mjedisin, sjellur të ardhura dhe për pasojë më shumë punësim”, shprehet ministrja.

Sa i përket turizmit dimëror Kumbaro u shpreh se për një turizëm të qëndrueshëm është e rëndësishmë të kemi turizëm gjithëvjetor.

“Patjetër, për momentin edhe për traditë edhe për ofertë turistike është turizmi pranveror dhe veror, por nuk flasim për turizëm të qëndrueshëm nëse kemi vetëm tre muaj turizëm dhe prandaj nuk e duam që të përqëndrohet gjithçka vetëm në turizmin e verës. Strategjia jonë për t’i kthyer destinacionet natyrore në atraksione i përgjigjet kësaj logjike. Shtrirje të hartës jo vetëm për të zgjatur sezonin, por edhe për të krijuar ekonomi në të gjithë vendin”, shprehet ndër të tjera Kumbaro./tvklan.al