Shpallet non-grata diplomati rus



Shpallet non-grata diplomati rus

17:13 21/01/2021

Shkeli në mënyrë të përsëritur masat anti-covid

Pavarësisht paralajmërimeve për të mos i shkelur masat anti-covid, diplomati rus nuk kishte reflektuar. Ministria e Jashtme njoftoi se i kishte tërhequr vëmendjen disa herë, por rusi vijonte me sjelljen e tij neglizhuese.

Një gjë e tillë, sipas Ministrisë ka nisur që në Prill të 2020, në muajin e parë të pandemisë, si edhe ka vijuar edhe në fillim të këtij viti. Ky është argumenti i dhënë për shpalljen “non grata” të Aleksej Krivoshev, i cili duket se kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve më të larta me sjelljen e tij.

“Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mikhail Afanasiev”, thuhet në njoftim, “duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati”. Për këtë çështje, ambasadori ka pasur një rol plotësisht bashkëpunues dhe ka premtuar se këto akte nuk do të përsëriteshin, por pavarësisht kësaj, premtimi nuk ishte mbajtur.

Rreth dy vite më parë, dy diplomatë rusë u shpallën non grata nga qeveria shqiptare. Vendimi u mor në koordinim me disa vende të tjera të NATO-s për të dëbuar disa diplomatë rusë pas helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe, Sergej Skripal.

Tv Klan






Të ngjashme