Shqipëria bëhet i vetmi vend në botë që ndalon shitjen e pijeve të gazuara tek të gjithë shtetasit nën 18 vjeç.

Me iniciativë të një grupi deputetësh, Parlamenti në fshehtësi të plotë, pa i miratuar më parë në qeveri dhe pa asnjë konsultim me grupet e interesit, votoi ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit.

Por veç alkoolit, ky ligj ndalon që në të gjithë territorin e Shqipërisë, dyqanet, baret apo restorantet t’u shesin të gjithë atyrë që janë nën moshën 18 vjeç të gjitha llojet e pijeve freskuese, si Coca Cola, Pepsi, Fanta, Sprite, çajra të ftohta, arançata e të tjera.

Këto pije do të jenë të ndaluara për adoleshentët e të miturit në vende publike edhe nëse ato u ofrohen nga prindër apo të afërm.

Ata adoleshentë që do të duan pije freskuese, do të duhet ta konsumojnë në fshehtësi, në shtëpi apo në ambiente ku nuk do t’i shohin autoritetet e ngarkuara me zbatimin e ligjit.

Kështu, të gjithë të rinjtë që do të duan të blejnë një pije freskuese, do të detyrohen t’i japin shitësit të kioskave, dyqaneve, marketeve e bar –restoranteve, një dokument indetifikues për të treguar moshën.

Kushdo që nuk ka mbushur 18 vjeç do të jetë i privuar nga çdo lloj pije freskuese, vetëm se kështu vendosi një grup deputetësh, duke miratuar një ligj të paprecedent në botë.

Në të gjithë botën, shitja e pijeve freskuese është e lirë për të gjitha moshat, pa asnjë kufizim.

Interesi i ligjit shqiptar, sipas mbështetësve të tij, është shëndeti i të miturve nga pasojat negative që vijne nga kafeina që kanë pijet, siç është obeziteti.

Ligji është bazuar mbi një studim të Institutit të Shëndetit Publik për konsumin e kafeinës te fëmijët e moshave 8 deri në 9 vjeç.

Por një studim i Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore, ESFA, mbi sigurinë e kafeinës, i publikuar në Maj të vitit 2015, tregon se kafeina nga të miturit dhe adoleshentët merret edhe nga ushqime të tjera dhe është në shkallë të ndryshme për mosha të ndryshme.

Në një referencë të Legjislacionit Europian, rezulton se ndërhyrjet në ligj për mbrojtjen nga kafeina mund të arrihen nëpërmjet masave të tjera, si shënimi në etiketë të posaçme mbi pijen e informacionit mbi përbërjen e pijes.

Në vendet e tjera këto pije shoqërohen me etiketa ku shënohet qartësisht përbërja e pijes.

Në Shqipëri, deputetët që e hartuan dhe miratuan ligjin, i kanë rënë shkurt, duke vendosur të njëjtën masë shtrënguese për të gjitha moshat nën 18 vjeç dhe duke mos kërkuar masa të tjera për të parandaluar konsumimin e tepërt të kafeinës dhe duke i barazuar pijet freskuese me alkoolin, si askund tjetër në Europë.

Në realacionin e ligjit rezulton se nuk ka asnjë studim në Shqipëri mbi efektin e kafeinës.

Ndërsa në raportin e Institutit të Shëndetit Publik thuhet se obeziteti shkaktohet nga shumë faktorë, si mungesa e aktivitetit fizik apo konsumi i ushqimeve dhe pijeve, por nuk ka asnjë analizë se në ç’masë ndikojnë ushqimet, pijet apo aktiviteti fizik tek obeziteti.

Ligji i miratuar në fshehtësi të plotë do të hyjë në fuqi nëse dekretohet nga Presidenti i Republikës.

Juristë të kontaktuar nga Televizioni Klan shpjeguan se masat e këtij ligji prekin disa nene të Kushtetutës, në lidhje me kriterin e proporcionalitetit, pasi nuk është bërë një trajtim i diferencuar ndërmjet kategorive të të miturve, bazuar në studime të posaçme për secilën kategori. Po ashtu, këto masa ndërhyjnë në lirinë e veprimtarisë ekonomike.

I njëjti ligj, shpikje tërësisht shqiptare, ndalon edhe reklamat për pijet energjike dhe freskuese.

Sipas juristëve, në këtë mënyrë ligjit i mungon efektiviteti nga njëra anë dhe nga ana tjetër dëmton edhe subjektet që preken prej tij.

Ligji po ashtu, thonë juristët, shkel marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, marrëveshje që i kërkon Shqipërisë të përafrojë legjislacioni me ligjet europiane, ndërkohë që ky ligj tejkalon çdo ligj europian.

Ndoshta një ligj i tillë mund të ekzistojë vetëm në Korenë e Veriut, vend për të cilin nuk kemi informacion.

Tv Klan