Në qendrat e vaksinimit të Beogradit edhe qytetarë nga RMV e Bosnja

Qytetarë nga vende të ndryshme të Ballkanit ju drejtuan Serbisë këtë javë për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Kjo ndodhi pas përhapjes së fjalës se autoritetet po lejonin vaksinimin e të huajve me dozat ekstra të vaksinës së AstraZeneca-s.

Arman Galiçiç ishte mes atyre që udhëtoi 600km nga Sarajeva në Beograd për të marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

“Një shok më dërgoi një mesazh e më tha se një mik i tij u paraqit papritur në qendrën e vaksinimit dhe u lejua. Lajmi u përhap aq shpejt në Sarajevë, ashtu si koronavirusi.”

Qytetari tjetër i Sarajevës Adnan Korou u shpreh mirënjohës për autoritetet e Serbisë për vaksinën, duke thënë se Bosnja ka mbetur shumë pas në fushatën e vaksinimit.

Shumica e atyre që u paraqitën më 25 Mars pranë qendrës së konferencave të Beogradit ishin nga vendet fqinje si Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Të tjerë udhëtuan nga përtej kufijve të Ballkanit. Mjeku Daniel Bindernagel tha se provoi të vaksinohet në Gjermani apo në Zvicër, por pa sukses, derisa fati i buzëqeshi në Serbi.

“Edhe pse jam mjek e pata të pamundur të vaksinohem. E kuptoj që kjo është strategjia e vaksinave, por ardhja këtu funksionoi.”

Me një popullsi prej rreth 7 milionë banorësh, Serbia është e dyta në Europë pas Britanisë për normën më të lartë të vaksinimit. Deri tani janë administruar 2.1 milionë doza. Vendi po përdor vaksina nga Pfizer/BioNTech, AstraZeneca, si dhe vaksina nga Kina e Rusia.

Pavarësisht normës së lartë të vaksinimit, Serbia po ndeshet me një gjendje të vështirë pandemike me rreth 5000 të infektuar të rinj çdo ditë.

Klan News