Policia greke ka publikuar fotot e kokainës së sekuestruar një ditë më parë në Athinë, ku u arrestua një 35-vjeçar shqiptar. Sikurse duket dhe në foto, mbi kokainë ishte mbishkrimi CR7, inicialet e futbollistit të njohur Cristiano Ronaldo.

Kjo tashmë është bërë një praktikë e njohur, kur trafikantët shkruajnë mbi lëndën narkotike emra apo iniciale të personave të famshëm, marka ndërkombëtare të shtëpive të modës etj. Shqiptarit të cilit iu sekuestrua kokaina me peshë 13 kilogramë, dyshohet se e merrte drogën nga kartelet e Amerikës Latine. Në hetimin e policisë greke u përfshi edhe DEA amerikane për shkak të trafikut ndërkombëtar të drogërave të forta.

Lënda narkotike u gjet dhe sekuestrua një ditë më parë në banesën e shqiptarit në lagjen “Moschato” të Athinës. Kokaina ishte fshehur në një dhomë të nëndheshme në pjesën e kuzhinës. 35-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë i ditur. Megjithatë, shtypi i Athinës shkruan se shqiptari njihej me epitetin “fantazma”. Dhe kjo jo pa arsye, sepse 35-vjeçari nuk mbante celular për të mos u përgjuar dhe pothuajse nuk dilte nga banesa, vetëm në rastet kur shkonte në dyqan për të bërë pazar.

Për të zbuluar aktivitetin kriminal të “fantazmës” shqiptare, policia greke u ndihmua edhe nga autoritetet amerikane, të cilat bënë të mundur lokalizimin e banesës së 35-vjeçarit. Kokaina e sekuestruar shpërndahej në zona të ndryshme të kryeqytetit grek, ndërsa hetimet ende po vazhdojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.

/tvklan.al