Nënshkruajnë kontrata për të shënuar gola, madje marrin edhe bonuse, por ky sezon është më i varfri për sulmuesit e Superligës. Si rrallëherë, kur duhen edhe 5 javë nga përfundimi i kampionatit, golashënuesi më i mirë ka realizuar vetëm 11 gola. Vasil Shkurtaj i Kukësit është pretendenti kryesor për Këpucën e Artë këtë vit, trofeu individual i futbollistëve.

Ai ndiqet nga shoku i tij i skuadrës, Reginaldo me një gol më pak. Duket se këtë sezon ky trofe do të shkojë pikërisht në klubin verilindor. Kjo ka sjellë edhe një rivalitet të tensionuar në skuadrën e Ernest Gjokës. Në dhomat e zhveshjes ka patur një debat mes Reginaldo dhe Shkurtaj. Në mënyrë indirekte “molla e sherrit” ka qënë pikërisht Këpuca e Artë.

Ky sezon është më pak produktivi të paktën në 10 vitet e fundit. Në sezonin e shkuar Ali Sowe e mbylli me 21 gola. Në 2017 Pero Pejiç me 28, kroatit i paraprinte Hamdi Salihi me 26 në 2016. Kur Pejiç luante për Kukësin në 2015, e mbylli me 31 gola.

Tv Klan