Raportim Live
13:15, 1 Korrik 2024

Ambasada e SHBA: Letërsia e Kadaresë frymëzon lexuesit në mbarë botën

Ambasada e SHBA: Letërsia e Kadaresë frymëzon lexuesit në mbarë botën

Ambasada amerikane në Tiranë: Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, letërsia e të cilit frymëzon lexues në mbarë botën. Kujtojmë me kënaqësi që Ambasada e SHBA nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020. Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar.

12:49, 1 Korrik 2024

Ministri i Jashtëm Igli Hasani: Kadareja, kolos i Ballkanit dhe evropian i dalluar

Ministri Igli Hasani: Trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane. Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë.

Në atdhe, kryeveprat e Kadaresë kanë qenë shoqërues të vazhdueshëm për breza, duke shërbyer si fener shprese dhe krenarie në kohëra të errëta dhe më të ndritshme. Mendimi dhe urtësia e tij intelektuale shërbyen si drita udhëzuese, gjithmonë drejt përparimit dhe emancipimit.

Një shqiptar i madh, një kolos i Ballkanit, një evropian i dalluar! Trashëgimia e tij do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na lidhë të gjithëve.

Pusho në paqe!

12:41, 1 Korrik 2024

Armand Duka: Ismail Kadare, një humbje e madhe për Shqipërinë!

Armand Duka: Ismail Kadare, një humbje e madhe për Shqipërinë!

Armand Duka, Presidenti i FSHF: E trishtë të mësosh që Ismail Kadare nuk jeton më. Vendi ynë ka humbur një shkrimtar të madh, një kolos të letrave, i cili e bëri Shqipërinë të njohur anembanë botës.

Kadare ikën, por i lë vendit tonë dhe gjithë botës një trashëgimi të madhe kulturore, kryevepra letrare të përkthyera në 45 gjuhë të ndryshme.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e Kadaresë, të cilët do ta ndjejnë shumë mungesën e tij.

U prehsh në paqe Ismail Kadare!

11:53, 1 Korrik 2024

Sali Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare

Sali Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare

Ish-Kryeministri Sali Berisha: Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

Laurat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës.

Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin!

11:14, 1 Korrik 2024

Kryeministri Rama: Monumenti më i madh i kulturës shqiptare u ngjit në piedestalin e përjetësisë

Kryeministri Rama: Monumenti më i madh i kulturës shqiptare u ngjit në piedestalin e përjetësisë

Kryeministri Edi Rama: Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pasaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më

11:08, 1 Korrik 2024

Veliaj për Ismail Kadarenë: Një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore

Veliaj për Ismail Kadarenë: Një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.

“Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare – një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante. Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pusho në paqe, i dashur Ismail”, shkruan Veliaj.

Pesë vite më parë, Bashkia e Tiranës mori iniciativë për ta kthyer banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare në vitet e komunizmit në një shtëpi-muze. Ai është kthyer tashmë një destinacion për shumë prej turistëve të huaj.

11:04, 1 Korrik 2024

Akademia e Shkencave: Emri dhe vepra e Kadaresë, përjetësisht në jetën e shqiptarëve dhe të botës

Akademia e Shkencave: Emri dhe vepra e Kadaresë, përjetësisht në jetën e shqiptarëve dhe të botës

Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi; fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (International Booker Man Prize, Prince of Asturias Award, Jerusalem Prize, Neustadt International Prize, Nonino, Park Kyong-ni); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet, shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që i e mbushi me kuptim këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe.

Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.

Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.

Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën arkitrarin e letërsisë shqipe. Letërsia e I. Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.

Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, studiuesve e lexuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë.

Emri dhe vepra e tij do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.

10:47, 1 Korrik 2024

Blendi Fevziu: Lamtumirë njeriu që bëre krenar kombin

Blendi Fevziu: Lamtumirë njeriu që bëre krenar kombin

Blendi Fevziu: “Lamtumirë Ismail Kadare. Lamtumirë njeriu që bëre krenar kombin me gjenialitetin tënd. Lamtumirë njeriu që më frymëzoi që në fëmijëri dhe që doja gjithë jetën t’i ngjaja. U prehsh në paqe”.

9:56, 1 Korrik 2024

Presidenti Begaj shpreh ngushëllimet për vdekjen e Ismail Kadaresë

Presidenti Begaj shpreh ngushëllimet për vdekjen e Ismail Kadaresë

Presidenti Bajram Begaj: “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”!

9:49, 1 Korrik 2024

Në foto më sipër: Ismail Kadare në pazarin e Gjirokastrës, me bashkëshorten Helena Kadare, ministren e Turizmit Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakun e Gjirokastrës Flamur Golemi(Dhjetor, 2021)

9:01, 1 Korrik 2024

Shuhet Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare

Shuhet Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare

Kolosi i letrave shqiptare Ismail Kadare është shuar në moshën 88-vjeçare.

Gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba raporton se Kadare u gjet i pajetë nga familjarët dhe u dërgua në QSUT. Shkrimtari kishte pësuar arrest kardiak respirator.

Shkrimtari i njohur u konfirmua i vdekur mëngjesin e sotëm në QSUT, siç ka mësuar gazetari i Klan News Maksi Rama.

Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris por krijimtaria e tij nuk u ndalua.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Që nga viti 1994 ai është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”, në 2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi.

Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.


/tvklan.al