Një ditë pasi ish – Kryeministri Sali Berisha publikoi një dokument të hipotekës së Durrësit, që sipas tij, fakton se Emiljano Shullazi është pronar i ish – hotel “Vollgës” në qytetin bregdetar, Televizionin Klan siguron kontratën e dhurimit të kësaj prone.

Ajo është firmosur në qytetin e Durrësit, në datën 19 Dhjetor 2014, mes Emiljano Shullazit dhe kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”.

Në kontratë sqarohet se firma arabe i dhuron për mirënjohje Emiljano Shullazit 749 metra katrore tokë, pa dhënë më shumë detaje për kalimin e kësaj pasurie.

Në fund, dokumenti është firmosur nga përfaqësuesi i kompanisë arabe, Ylvi Beqja dhe nga Emiljano Shullazi.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se, referimi mbi atë çfarë po ndodhte me ish – hotelin e ka bërë Shërbimi Informativ Shtetëror.

Fillimisht, procedimi është regjistruar në Prokurorinë e Durrësit. Më pas procedimi është ndarë, duke i deleguar krimeve të rënda dyshimet për gjobëvenie.

Ndërsa një hetim tjetër po kryhet nga Prokuroria e Durrësit për pastrim parash.

Ka dyshime se dy bashkëpronarët e tjerë të hotelit, Marjeta dhe Fejzi Kodra nuk kanë patur mundësi financiare për të paguar 670 mijë euro për blerjen e sipërfaqes tjetër të hotelit.

Xhevahir Zhabina/Tv Klan