Si përfunduan 4.600 litra kimikate të rrezikshme në bujqësi

Si përfunduan 4.600 litra kimikate të rrezikshme në bujqësi

15:45 03/08/2019

KLSH: AKU dhe MBZHR kanë rrezikuar rëndë konsumatorët

4.600 litra ‘Silikon MIX’, një pleh kimik i konsideruar si i rrezikshëm për shëndetin, është përdorur në produktet bujqesore në Shqipëri.

Skandali është zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij për auditimin e ushtruar në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Kjo sasi e këtij kimikati të rrezikshëm është bllokuar nga zyra e AKU në Dhjetor dhe është marrë një mostër për analizë zyrtare. Por ajo është zhbllokuar 8 muaj më vonë nga një vendim i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, bazuar në një shkresë të Ministrisë së Bujqësisë, pasi laboratori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Fushë – Krujë nuk ka ka pranuar ta kryejë analizat.

Vendimi i komunikohet koordinatores Anila Kapedani në Durrës, nga asistentja e Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së në atë kohë, Agim Ismaili.

“Me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm, bashkëlidhur gjeni shkresën e dërguar nga MBZHR për zbatimin e legjislacionit në fuqi për plehun ‘EC Fertilizer Silicon Mix’. Të merren masat nga ana juaj për zhbllokimin e produktit referuar shkresës”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nënvizon KLSH në raportin e tij, e ka zhbllokuar plehun kimik teksa ka qenë në padijeni të plotë se çfarë produkti po zhbllokon, duke cënuar kështu rëndë sigurinë e popullsisë shqiptare.

“Kjo shkresë është kuptuar si udhër për Titullarin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili ka nxituar ta zhbllokojë Silikonin MIX, pa ditur realisht se çfarë produkti po zhbllokon, i cili po përdoret në bujqësi, duke cënuar rëndë sigurinë e qytetarëve të këtij vendi”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se zhbllokimi i këtij produkti të rrezikshëm dhe përdorimi i tij në prodhimet bujqësore, ka ardhur si pasojë e një ping-pongu mes institucioneve që kanë detyrimin ligjor për të mbrojtur dhe garantuar sigurinë ushqimore.

“4.600 listra Silikon MIX është përdorur në produktet bujqësore pas një rokade të gjatë shkresash të institucioneve të cilat kanë detyrim ligjor për të mbrojtur dhe garantuar sigurinë e qytetarëve të tij vendi. Duke mos vënë primare këtë garanci dhe duke shmangur në mënyrë të drejtpërdrejtë një analizë rutinë, e cila, edhe nëse nuk mund të bëhej nga asnjë laborator në vend, mund të kërkohej të kryhej në laboratorët e ISUV-it ose dhe jashtë vendit, kur koha prej 8 muaj është e mjaftueshmë për të marrë një rezultat”.

Ministria e Bujqësisë, thuhet në raport, nuk ka ushtruar kompetencat e saj në përputhje të plotë me ligjin, duke mos vënë para përgjegjësisë dy institucionet që ka në varësi, AKU – së dhe Laboratorin e Fushë-Krujës, në mënyrë që të kryenin analiza laboratorike të thelluara, për të mos lejuar që ky produkt i rrezikshëm të përdorej tek prodhimet bujqësore që konsumojnë shqiptarët.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, një pjesë të të cilit Tv Klan e publikoi një ditë më parë, zbulon kështu një skandal të rëndë me sigurinë ushqimore.

Ai evidenton gjithashtu se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka lejuar të futen në Shqipëri tonelata me plehra kimike e pesticide me origjinë nga Kina, që nuk lejohen të përdoren në Shqipëri dhe në vendet e Bashkimit Europian, pasi janë të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT