Si u 7-fishua sipërfaqja e tokës që përfitoi familja në Sarandë (Video)

Si u 7-fishua sipërfaqja e tokës që përfitoi familja në Sarandë (Video)

21:02 05/06/2019

Përfitimi i një sipërfaqe toke me dokumente të dyshimta është denoncuar sonte nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan. Rasti ka ndodhur në Sarandë, ku familja Gruma ka përfituar rreth 85 mijë metra katrorë në vitin 1994, kur në fakt i takonte 12 mijë metër katrorë, pra kjo sipërfaqe është 7-fishuar.

“Prona që ne trashëgojmë, nuk kemi mundur ta regjistrojmë megjithëse kjo pronë që ne kemi trashëguar brez pas brezi është e jona. Por duke parasysh faktin që prona ka qenë e regjistruar që në vitin ’94 dhe në vazhdim në emër të familjes Gruma dhe ka mbivendosje jo vetëm me pronën tonë por dhe me shumë familje të tjera sarandiote, është fakt i ditur tashmë që këtu është një grup mafioz që gjoja në emër të interesave të shtetit mbrojnë familjen Gruma”, thotë një denoncuese për emisionin “Stop”.

Në vitin 2014 Prokuroria e Sarandës hetoi dhe zbuloi falsifikimin e dokumenteve që bënë pronar familjen Gruma. Prokurori e pushoi këtë çështjen pasi vepra penale ishte parashkruar, por urdhëroi Bashkinë Sarandë dhe Avokaturën e Shtetit që të ndreqnin pasojën.

“Në vitin 1929, familja Gruma ka patur sipërfaqe prej 50 strem. Pastaj me vendim komisioni, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka njohur një sipërfaqe prej 50 strem dhe në mënyrë abuzive Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka abuzuar me njësinë matëse strem dhe u ka kthyer një sipërfaqe prej 85 mijë metra katrorë. Aktualisht ata vazhdojnë ta posedojnë dhe ta kenë në pronësi këtë sipërfaqe në mënyrë të padrejtë, kur në vitin 1943 ata kanë patur një sipërfaqe prej 25.500 metra katrorë. Dhë në vitin 1947 kanë patur një sipërfaqe prej 12.500 metra katrorë”, shprehet denoncuesja.

Por, as Bashkia e Sarandës dhe as Avokatura e Shtetit nuk kanë reaguar ndaj vendimit të Prokurorisë  për të rregulluar këtë pasojë. Jo vetëm që nuk kanë vepruar prej 5 vitesh, por Bashkia e Sarandës ka dhënë leje për ndërtim në këtë sipërfaqe toke që është marrë padrejtësisht nga familja Gruma. Gazetari i emisionit “Stop” shkoi në zyrat e Avokaturës së Shtetit për të kërkuar informacion çfarë po ndodh me vendimin që ka dhënë Prokuroria e Sarandës. Por, ky institucion na tha se duhet të dorëzojmë një kërkesë zyrtarisht për të marrë përgjigje.

Avokatura e Shtetit: Palët pretendojnë, që nuk është nisur procesi nga avokatura?

Gazetari: Jo pretendojnë, por nuk është nisur …,po! Po jo ka ardhur edhe nga Prokuroria, ku thotë …

Avokatura e Shtetit: Po këtë e kuptoj, por për qytetarët, d.m.th, cfarë përgjigje ju kemi kthyer?

Gazetari: Asnjë lloj përgjigje!

Avokatura e Shtetit: S’ka përgjigje?

Gazetari: Fare! Ideja është, pse s’është nisur? Është konstatuar gjithë falsiteti edhe cdo gjë. Janë 85 mijë m2 tokë, që janë përfituar pa të drejtë, ndërkohëqë…, sepse ideja është, ngaqë është lënë në gjëndje të lirë gjithë cështja, ata fillojnë, e kanë shitur tokën, ja kanë dhënë të tretëve, firmave të ndërtimit. Më kupton? Është bërë një kakofoni tani, që ëëë…

Avokatura e Shtetit: Për momentin, unë nuk të jap dot përgjigje, megjithatë… Bëj një kërkesë, po e protokolloj lart, pastaj do t’ju kthejmë përgjigje, ose zyrtarisht ose me email!

Gazetari: Po cfarë rëndësie ka?! Ideja është, të fillojë të marri rrugë!

Gjatë investigimit në Sarandë, gazetari i “Stop” zbuloi se në fshatin Berdenesh, që është vetëm 5 minuta larg qytetit bregdetar, familja Gruma vazhdon të ndërtojë banesa vetëm pak metra larg detit. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT