Histori me zhurmues – Viti 1960 ishte një tjetër vit delikat për Shqipërinë. Përfundon dashuria e madhe me Bashkimin Sovjetik dhe epilogu është mbledhja e 81 partive në Moskë.

Për të folur pikërisht për këtë periudhë ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, profesor Agim Popa. Në Shtator-Tetor të 1960-ës u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe për të marë pjesë në këtë mbledhje u dërgua Mehmet Shehu.

Pandi Laço: Ju keni qenë në grupin e punës në këtë delegacion?

Agim Popa: E vërtetë është. Zyrtarisht unë figuroja si këshilltar, por në të vërtetë unë kisha shkuar për të përkthyer fjalimet që do të mbante Mehmet Shehu në OKB. Sepse edhe pse ai dinte anglisht, nuk donte të fliste anglisht, por fjalimet donte t’i mbante në gjuhën ruse.

Pandi Laço: Ju deri në Paris keni shkuar me avion?

Agim Popa: Deri në Paris kemi shkuar me avion. Pasi qëndruam dy ditë në Paris, shkuam në Sherburg ku nisej për në New York vaporri i mbretëreshës Elisabetë. Të gjitha delegacionet e vendeve të ashtuquajtura socialiste udhëtuan me tjetër vaporr, me vaporrin Balltika, ku ishte Krushovi dhe gjithë delegacioni. Pasi hipëm në vaporr morëm vesh se në të ishte edhe Titoja i cili konsiderohej si mysafir i mbretëreshës dhe një herë në ditë hante drekë në restorant. Ndërsa Mehmet Shehu hante në kabinë. Kur ne shkonim të hanim në restorant, na ndiqnin me sy të gjithë ata që ishin rreth Titos, ndër ta edhe Josip Gjergjaj, i cili ka qenë ambasador i Jugosllavisë në Shqipëri.

Pandi Laço: Pasi Mehmet Shehu vrau veten u ngritën hipoteza se ai kishte takuar në këtë vaporr Titon, Churchillin, madje edhe Fultzin. Në atë vaporr ka qenë edhe i biri i Churchillit, i cili ka udhëtuar për në SHBA, sa e vërtetë është kjo?

Agim Popa: Këto fjalë u thanë, por e vërteta qëndron krejt ndryshe. Në radhë të parë Mehmet Shehu nuk hante në restorant, por në kabinë dhe asnjëherë nuk e takoi Titon. Përsa i përket djalit të Churchill, ishte në vaporr dhe duke e ditur ne nuk udhëtonim në vaporr me vendet e kampit socialist e kishte kuptuar se marrëdhëniet janë prishur dhe donte të merrte në intervistë Mehmet Shehun. Në atë kohë bashkë me ne ishte edhe Behar Shtylla dhe një ditë më thotë: Do vish të dëgjosh se i biri i Churchill ka kërkuar takim me kryeministrin dhe do t’i japim përgjigje. U futëm në një kabinë që kishte telefon dhe i thamë se kryeministri është shumë i zënë dhe nuk mund t’a presë. E refuzoi dhe djali i Churchill përplasi telefonin me inat. Nuk janë të vërteta ato që thuhen.

Pandi Laço: Ku konsistonte fjalimi i Mehmet Shehut në OKB.

Agim Popa: Në fakt Mehmet Shehu mbajti dy fjalime. Ai foli kundër imperializmit dhe veçanërisht kundër imperializmit amerikan duke e cilësuar atë agresor dhe se po luante rolin e xhandarit. Fjala e dytë u mbajt në një seancë të posaçme për Kinën. Në këtë seancë delegacioni shqiptar ngriti problemin që të dëbohej Taivani nga OKB dhe të zinte vendin e saj Kina. Një javë para se të ktheheshim në Shqipëri Shehu më thotë: Kur të shkoj në Shqipëri do të mbaj një fjalim, do raportoj lidhur me qëndrimin këtu në New York. Më dha disa mendime dhe unë i mbajta shënim dhe bëra një plan të rëndësishëm për fjalimin. Më pas nuk pata më kohë të merem me fjalimin dhe atë ditë që do të niseshim për t’u kthyer në Shqipëri dhe punova me të në vaporr. Atij i pëlqeu shkrimi dhe më tha se i kisha bërë 95% të punës dhe ai bëri vetëm dy shkurtime të vogla. Që nga ajo kohë unë kam patur takime me Mehmet Shehun.

Pandi Laço: Cilat ishin kushtet që çuan në mbledhjen e 81 partive.

Agim Popa: Kishin lindur disa kontradikta mes qeverisë kineze dhe udhëheqjes sovjetike. Kontradiktat ishin të lidhura me një botim që u bë në Kinë me titull “Rroft lelinizmi”. I deleguari ishte Hysni Kapo, i cili kishte marrë udhëzimet nga Enver Hoxha se ç’qëndrim duhej të mbante atje. Qëndrimi që mbajti Shqipëria i prishi shumë punë sovjetikëve, sepse në sajë të atij qëndrimi ata nuk mundën të marrin një vendim unanim kundër Kinës. Aty marrëdhëniet me Krushovin u acaruan më tej. Kinezët ne na kishin thënë se ata kishin frikë nga fjalimi që do të mbante delegacioni shqiptar. Sovjetikët ishin të interesuar që fjala e Enver Hoxhës të mos mbahej. U bënë disa takime dhe delegacioni jonë u detyrua të largohet dhe shkon në ambasadë ku ishin vendosur përgjues. Mehmet Shehu iu drejtua atyre dhe iu bëri disa akuza kundër sovjetikëve. Nga Moska ata u larguan me tren dhe të gjitha ushqimet i morën me vete.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al