Polemika të shumta ka prodhuar goli i anuluar në favor të Bayern Munich që kushtoi eliminimin nga Champions League. Gjermanët janë të bindur se gjyqtarët nuk kanë respektuar siç duhet rregulloren. Protagonistët bavarez, pretendojnë se aksioni tek goli i De Ligt ishte i rregullt. Lojtarët e Bajern krosojnë në zonën e Real Madrid, ku ndodheshin dy lojtarë të Bajern dhe dy të Realit.

Por sapo topi hidhet në zonë, edhe pse lojtarët ishin në një vijë dhe pozicioni ishte në rregull, arbitri anësor ngre flamurin për pozicion jashtë loje, ndërsa kryesori i bie direkt bilbilit për të ndaluar lojën. Bajern shënon, por vendimi i arbitrave i mohon mundësinë për ta parë episodin në VAR nëse goli ishte i rregullt apo jo.

Kjo pasi që prej hyrjes së sistemit VAR në botën e futbollit, aksioni duhej të përfundojë deri në fund që të rishikohet momenti për të rivendosur drejtësi. Autori i golit, Matias de Ligt pranoi se gjyqtari anësor ka kërkuar falje për këtë episod, që gjithsesi ndikoi direkt në rezultatin final. Edhe trajneri Tuhel ishte në të njëjtën linjë, pasi vendimi i gjyqtarëve ishte një shkelje e rregullave dhe se kjo ishte një fatkeqësi absolute.

Një prej anëtarëve të bordit të Bayern, Max Eberl, ka shtuar se kjo lidhet me konfliktet politike në të shkuarën dhe gjyqtarët polak nuk dëshironin një finale tërësisht gjermane në Champions League. Skenar që lë shumë pikëpyetje, teksa tashmë Bayern vulos një nga sezonet më të dështuara të historisë së tij. UEFA nuk ka reaguar ende rreth kësaj situate, ku nuk përjashtohet ndonjë penalizim i mundshëm mbi trupën e gjyqtarëve polak.

Në nivel të njëjtë kanë qenë edhe mediat në Gjermani që e kanë cilësuar skandal, ndërsa mediat spanjolle nuk kanë kursyer elozhet për skuadrën e Carlo Ancelottit për këtë arritje në kompeticionet Europiane.

Klan News