Skandali i dëmtimit të Parkut Kombëtar Natyror të Mulletit, nga hedhja e dherave të autostradës Tiranë – Elbasan nga firma “Aktor”, merr përmasa më të mëdha.

Kompania “Aktor”, që kryen punimet në autostradë, e ka kryer aktivitetin pa u pajisur më parë me leje mjedisore.

Burime nga kompania thanë për Televizioni Klan se, nuk është pritur leja mjedisore me qëllim që të përshpejtoheshin punimet.

Por nxitimi i kësaj kompanie dhe mënyra që ajo ka gjetur për të shkurtuar shpenzimet, ka shkatërruar 7 500 metër katrorë sipërfaqe në këtë territor, të mbrojtur me ligj të posaçëm si Park Kombëtar Natyror.

Pas zbulimit të këtij skandali nga Televizioni Klan, kompania i ka ndërprerë punimet me urdhër të Inspektoriatit të Mjedisit.

Drejtues të saj thanë se nuk do të punojnë derisa të pajisjen me lejen mjedisore, çka provon se deri tani është punuar pa një leje të tillë.

Kompania u gjobit dy herë, me 500 mijë dhe 1 milionë lekë nga Inspektoriati Mjedisor. Por gjobat nuk e penguan masakrën mjedisore, që po ndodhte vetëm 5 kilometër larg kryeqytetit.

Asnjë nga autoritetet nuk ndërhyri për ta parandaluar në kohë këtë skandal, derisa policia ndaloi dhe procedoi 9 punonjës të kompanisë.

Tani Ministria e Transporteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia e Tiranës, Ministria e Mjedisit dhe institucionet e tjera duhet ta detyrojnë firmën “Aktor” të spostojë të gjithë dherat e hedhur në Parkun Kombëtar, në kundështim me projektin, ligjin dhe lejet e dhëna.

Tv Klan