Numërimi mbrapsht për Skudeton po lëviz me shpejtësi në shtëpinë e Interit. Ylli i dytë në fanellën zikaltër shton edhe të ardhurat për arkat e klubit italian. Janë mediat italiane ato që kanë bërë llogari të tilla, pa marrë parasysh vlerën në rritje të lojtarëve.

Bëhet fjalë për një bonus prej 50 milionë Euro, që do të depozitohen në mënyra të ndryshme. Kësti i parë prej 23.4 milionë do të vijë nga Liga e Serisë A në lidhje me pjesën e të drejtave televizive kushtuar atyre që fitojnë skudeton.

Më pas do t’i mbetet UEFA-s të nënshkruajë një çek prej 10 milionë Euro, çmim i destinuar për ata që fitojnë kampionatin italian. Deri në këtë pikë të ardhurat janë thuajse të garantuara, pasi vetëm statistikat matematikore nuk lejojne festën. Të tjera të ardhura do mbërrijnë padyshim nga sponsorët.

Klubi nga Milano do përfitojë 12 milionë Euro, të cilat do të shtohen për shkak të rritjes së imazhit dhe reputacionit të markës. Një situatë që mund të gjenerojë të ardhura të reja edhe në shitjen e fanellave. Qëndisja e yllit të dytë sidomos në derbin e 22 Prillit parashikohet të sjellë vërtetë “boom” të ardhurash për arkat e klubit italian.

Klan News