I ftuar në programin “Historia ime” në TV Klan ishte sociologu Ergys Mërtiri. Ai u ndal tek situata e krijuar në vendin tonë si pasojë e përhapjes së koronavirusit, duke u shprehur se situata është problematike në dy aspekte.

Nga njëra anë është sëmundja dhe nga ana tjetër problemet ekonomike që ajo shoqërohet. Mërtiri tregon se ka shumë njerëz në Shqipëri që punojnë sot dhe ushqehen sot, dhe nuk kanë më asnjë mundësi për të pasur rezervë për ditët në vijim.

Ergys Mërtiri: Situata është problematike në dy aspekte. E para është sëmundja që na kërcënon, e dyta është mungesa e një perspektive në aspektin ekonomik sepse kjo na ka mbyllur brenda dhe ka krijuar probleme të natyrës ekonomike, të cilat në Shqipëri nuk janë thjesht çështje e uljes së nivelit të të ardhurave, por tek shumë njerëz përkthehet deri në krizë urie, krizë buke. Kam parë edhe denoncimin nëpër media dhe njerëz që shprehen në rrjete sociale, që nuk kanë më rezerva ushqimore në shtëpi, nuk kanë mundësi me çfarë të ushqehen. Ka shumë njerëz në Shqipëri që punojnë sot për sot, domethënë çfarë fitojnë sot me atë ushqehen dhe nuk kanë më asnjë mundësi për të pasur rezervë për nesër, pasnesër. Aq më tepër për një periudhë karantine, e cila që nuk dihet sa do zgjasë. Kjo padyshim është një kërcënim më vete. /tvklan.al