Eklipsi më i gjatë hënor për këtë shekull dhe shansi për të parë nga afër planetin Mars erdhi. Mbrëmjen e kësaj të premteje eklipsi hënor do të shihet në pjesën më të madhe të Europës, Azisë, Australisë, Afrikës dhe një pjesë të Amerikës Jugore.

Amerika Veriore dhe ajo Qendrore nuk do të mund ta shohin këtë eklips, megjithatë astronomët janë përgatitur për ta shijuar këtë moment dhe pritet që ta transmetojnë live në internet.

Ky do të jetë eklipsi i dytë hënor për 2018-ën. I pari ndodhi më 31 Janar dhe zgjati në total 3 orë dhe 23 minuta. Megjithatë koha që eklipsi ishte i plotë, ishte 1 orë e 16 minuta. Por eklipsi i sotëm hënor pritet të zgjasë 1 orë e 43 minuta dhe gjithsej 4 orë, duke u bërë kështu eklipsi më i gjatë për këtë shekull.

Në Europë eklipsi pritet të nisë me shfaqjen e hënës pas perëndimit të diellit.

Eklipsi i plotë është një fenomen i rrallë që ndodh kur Hëna, Toka dhe Dielli alinjohen dhe hëna e plotë kalon pas planetit tonë, duke rënë në hijen e tij.

Po mbrëmjen e sotme dhe në ditët në vijim Marsi do të jetë në pikën më të afërt me Tokën që prej vitit 2003 dhe do të shikohet si një “yll i shndritshëm” në kohë me qiell të pastër.

/tvklan.al