Sot testi për anëtarët e ri të KQZ



Sot testi për anëtarët e ri të KQZ

13:14 29/09/2020

Komisioni i Posaçëm do të nisë pasditen e sotme seancën e parë dëgjimore me 27 kandidatët për 12 vendet vakante në organet e reja drejtuese të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve si Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. Seanca do fillojë në orën 16:00.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së së re do të jetë Damian Gjiknuri, ndërsa anëtarë Adnor Shameti, Alket Hyseni, Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Oerd Bylykbashi. Komisioni parashikohet të përmbyllë veprimtarinë deri më 2 Tetor.

Për kryekomisioner, që do të ketë një mandat 7-vjeçar, kanë kandiduar ish zv/kryeministri demokrat Ilir Rusmajli, ish-komisionerët Bledar Skënderi, Arben Xhiku dhe Hysen Osmanaj.

Do të jetë PS ajo që do të zgjedhë kryekomisionerin. Ndërsa zëvendëskomisionerin do ta zgjedhë Partia Demokratike. KQZ-ja po riformatohet si pasojë e dakordësisë së arritur mes palëve në Këshillin Politik në 5 Qershor.

Klan Plus




Të ngjashme