Të riatdhesuarit nuk ndihmojnë hetuesit gjatë marrjes në pyetje për të zbuluar trafikantet

Prej vitesh drejtësia shqiptare vazhdon hetimet pr të zbuluar grupin e trafikantëve që merret me rekrutimin e burrave, grave dhe fëmijëve shqiptarë për ti dërguar ata në Siri dhe për ti bashkuar me ekstremistët islamik. Disa javëve më pare u riatdhesuan nga kampi Roj, 5 gra dhe 14 fëmijë të mitur. Pasi janë dërguar në qendrat e rehabilitimi dhe trajtimit me psikolog, gratë janë marrë në pyetej nga anti-terrori dhe oficerët e policisë gjyqësore në SPAK. 

Burime bëjnë me dije nga organi i akuzës se në deklarimet e tyre ata nuk kanë dhënë emra konkret apo të shpjegojnë se kush janë personat që i dërguar në vendet e luftës. Duke qenë se të riatdhesuarit deri tani janë vetëm gra dhe fëmijë, burimet thonë që ata pretendojnë se nuk kanë dijeni dhe se kanë qenë bashkëshortët  e tyre ato që kanë pasur edhe kontaktet, me personat që i kanë dërguar në zonave të luftës në Lindjen e Mesme.

Deklarimet e tyre nuk u kanë ardhur në ndihmë hetuesive për të mësuar më tepër të dhëna mbi trafikantët apo për të zbuluar grupin kriminal. Nga ana tjetër burrat që kanë shkuar në Siri, ndodhen akoma në vendet e luftës, përkrah ekstremistëve islamik ose dyshohet se mund të kenë humbur jetën në luftë.

Ndërkohë autoritetet vijojnë hetimet dhe për këtë do të ketë intervista të herë pas hershme me të riatdhesuarit që të mund të përftohen informacione, që do të ndihmonin hetuesit  për ngritjen e akuzave ndaj personave që mund të jenë përfshirë në indoktrinimin dhe nxitjen e ekstremizmit ndaj shqiptarëve që kanë braktisur vendin duke iu bashkuar luftës në Siri.

Deri më tani në vendin tonë janë kthyer 24 persona gra dhe fëmijë. Po ashtu më shumë se 30 të tjerë ndodhen në kampet e ferrit në Siri. Për rekrutimin e personave nga vendi ynë dhe më pas trafikimin e tyre drejt vendeve të luftës ish-gjykata e krimeve të rënda ka dënuar disa persona që vepronin kryesisht në Cërrik dhe në Lushnjë, mes tyre është edhe Genci Balla, që prej më shumë se një vitit ndodhet në regjimi të posaçëm.

Klan News