Me përshëndetje të ngrohta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryeministri Zoran Zaev pas takimit të përbashkët të Këshillit Euro Atlantik dhe përfaqësuesve të qeverisë, numëruan një sërë përfitimesh, por edhe obligimesh nga anëtarësimi në aleancë, që për Maqedoninë pritet të rrumbullakoset deri në fund të vitit, ose në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Historia e dyerve të hapura të NATO-s u tregua e suksesshme, theksoi Stoltenberg, duke marrë si shembull vendin e tij.

“Unë vij nga një vend i vogël në veri, i cili kishte shumë përfitime nga anëtarësimi në aleancë dhe jam absolutisht i sigurtë se edhe Maqedonia do të ketë përfitime nga kjo aleancë. Siguron bazë për përparim, sepse siguria është parakusht për zhvillim ekonomik dhe prosperitet, tanimë e shohim se investimet në Maqedoninë e Veriut rriten, që është mirë edhe për vendin edhe për rajonin”.

Anëtarët e NATO-s duhet të dorëzojnë edhe 16 ratifikime të protokolleve për anëtarësimin e Maqedonisë si vendi i 30-të në NATO, ndërkaq nga Maqedonia e Veriut pritet plotësimi i premtimit për harxhime në mbrojtje 2% nga bruto prodhimi vendor dhe t’i rrumbullakosë reformat për sistemet e sigurisë dhe të zbulimit e kundërzbulimit, që të jetë e gatshme për shkëmbimin e informacioneve të besueshme.

“I zbatuam gjithashtu edhe hapat e nevojshëm për riformimin e agjencive të zbulimit dhe kundërzbulimit dhe të shërbimeve të sigurisë në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë dhe palët e interesuara. Tani ato prapë e morën rolin autentik, të jenë në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe të interesave të vendit dhe aleatëve të saj. Republika e Maqedonisë së Veriut po bëhet pjesë e aleancës transatlantike”.

Në lidhje me tensionet në veriun e Kosovës dhe çështjen e pazgjidhur midis Prishtinës dhe Beogradit, Stoltenberg edhe një herë si model për zgjidhje e sugjeroi Marrëveshjen e Prespës.

“Kjo tregon se është e mundur të tejkalohen dallimet nga e kaluara, të tejkalohen mospajtueshmëritë historike. Jo të harrohet e kaluara, por të mos lejohet ajo të rrezikojë të ardhmen. Të tejkalohen dallimet dhe së bashku të shkohet më tutje”.

Stoltenberg në Shkup arriti nga Tirana, ku theksoi se nuk është e pranueshme dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike, duke bërë thirrje që të respektohen këto institucione.

29 ambasadorët e vendeve anëtare të aleancës në krye me Sekretarin e Përgjithshëm, Stoltenberg u takuan edhe me Presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, deri vonë koordinator kombëtar për NATO-n në Maqedoni. Pasditen e sotme, Stoltenberg do të mbajë ligjëratë edhe në Fakultetin Ekonomik, ku pritet të fokusohet në përfitimet ekonomike që i sjell anëtarësimi. Ai vetë në më shumë drejtime theksoi se shkalla e investimeve të huaja në vend, këtë vit është tre herë më e lartë se vitin e kaluar, duke e lidhur këtë me sigurinë e anëtarësimit në Aleancë.

Tv Klan