QSUT, autoambulanca ngec që në nisje…?!

Këto janë disa nga videot që u transmetuan dhe komentuan në studion e emisionit “Stop”, në rubrikën “Hitparade i absurdit shqiptar”

Një sahat, që punon me ajër është video e parë, që shfaqet në emisionin e sotëm.

Më pas një autoambulancë, që nuk ndizet në ambientet e QSUT-së, megjithëse janë bërë shumë aktivitete, për të prezantuar flotën e re të autoambulancave, si krenaria e shëndetësisë shqiptare.

Në këtë pjesë të emisionit, flitet edhe për protestën e nesërme të opozitës, të cilës i ka paraprirë një tur nëpër rrethe i kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Kamëz, fëmija me probleme autizmi 2 orë në shkollë, ZA: s’kemi mësues ndihmës.

Shefki Mema, banor i Paskuqanit, i është drejtuar emisionit “Stop”, për shkak të problemeve me djalin e tij 7 vjecar, Alois, me çrregullime të spektrit autik. I vogli nisi shkollën “Azem Hajdari” e deri në muajin tetor, çdo gjë shkonte mirë. Por më pas i thanë, se djali do të qëndronte vetëm 2 orë në shkollë, pasi nuk ecën dot me hapin e fëmijëve të tjerë. I ati kërkon, që djali i tij të ndihmohet, të përparojë në shkollë e marrëdhëniet sociale.

Shefki Mema: Problemi im qëndron me ndihmë që po i jepet djalit tim edhe për kohën e kufizuar që ka në shkollë. Djali është më diagnozën e çrregullim të spektrit autik. E filluam klasën e parë në mënyrë perfekte dhe na fundi i Tetori gjërat nisën dhe u zbehën. Të tjerët kanë avancuar më shumë dhe djali nuk i ndjek programet, nuk i njef shkronjat dhe filloi me mësuesja ndihmëse dhe tha që djali të rrijë dy orë. Kërkesa ime është që ti jepet ndihmës sociale, të përmirësojë në shkollë, ta zgjasë orarin në shkollë, se ai ulet.

Drejtori i shkollës, Besnik Daci, thotë, se djali i vogël është vlerësuar nga komisioni multidisiplinar i ZA Kamëz dhe problem mbetet mungesa e infrastrukturës e mësuesve ndihmës.

Besnik Daci: Ky nxënës është vlerësuar nga Komisioni multidisiplinar i ZA Kamëz, dhe ky vlerësim është përkthyer në ore të cilat duhet ti realizojë mësuesi ndihmës. Ky fëmijë është vlerësuar me 3 seanca nga 45 minuta, pjesa tjetër do të mbulohet nga mësuesi kujdestar. Është objektiv madhor nëse do arrimë ne që ai të përballonte të gjithë pjesën mësimorë që ka kjo gurpmoshë e klasës së parë. Këto raste nuk i dëshiron kush. Mua më shqetëson fakti se në këtë shkollë ka 13nxënës që trajtohen, infrastruktura e shkollës është shumë larg nevojave që do kjo kategori, që na koha, ambienti ku mund të ushtrohet veprimtaria.

NË ZA-në e Kamzës, drejtori i burimeve njerëzore, Sulejman Keta, shpjegon, se kjo ZA ka nevojë për 73 mësues ndihmës, por aktualisht ka vetëm 12. Sipas tij, po punohet me Ministrinë e Arsimit, që të rritet numri i mësuesve ndihmës.

Gerta Hoxha, mamaja e 11 vjeçarit Anzholin Nezha, kërkon një mësuese ndihmëse për djalin e saj, i cili vuan nga hiperaktiviteti dhe çrregullimi i sjelljes. Djali është në klasën e 5-të të shkollës “Androkli Kostallari “ dhe ka edhe çrregullime gjinore.

Gerta Hoxha: Fëmija është në klasën e 5, vjet ka pasur një psikologe që i qëndronte pranë dhe që nga Shtatori i vitit 2018 dhe deri më sot nuk ka një mësues mbështetës në klasë. Unë kam shkruar disa herë në Drejtorinë Arsimore dhe më kanë thënë se mund të sjellin më vonë. Ai është i shpërqendruar.

NE shkollen 9 vjeçare “Androkli Kostallari” gazetarja takon drejtoreshen Gentiana Dollia.

Drejtoresha: Sot vjen një grup pune, do vendosi, do shkruajmë ca gjëra, 1,2,3,4… , ça do vendosi ai grup pune.

Drejtoresha: Ore ai grup pune do thotë: Anit i duhet mësues matematike, do i vijë nga Drejtoria Arsimore, atë nuk e gjej unë. Nëqoftëse do të pyesesh prapë mendimin tim, si profesioniste, nuk jam që t’i ushtroj presion fëmijës.

Një komision nga DAR Tirana mbërrin në shkollë për rastin e 11 vjeçarit dhe konkludon se një mësues ndihmës do të vihet për të në orën e matematikës.

Drejtoresha: Ato tashi, gojarisht thanë, që do t’ia vëmë mësuesin ndihmës. Me shkrim, kur të më vijë, po të them, që erdhi me shkrim. Në orën e matematikës do të jetë 2 orë mësuesi ndihmës prezent.

Psikologia, Aurela Agalliu,shprehet për nevojën e mësuesve ndihmës për fëmijët me probleme e aftësi të veçanta, ndaj në këtë drejtim, duhet investuar më shumë.

Aurela Agalliu: Përsa i përket futjes së mësuesve ndihmës të cilët janë shumë të nevojshëm në trajtimin dhe zhvillimin e këtij programi me këta fëmijë, nevoja është shumë e lartë, por janë shtuar shumë fëmijët me këto probleme, por edhe programi arsimor i cili duhet të jetë i vlerësuar nga ky ekip për të bërë të mundur rritjen e aftësisë për këta fëmijë,. Gjithçka duhet të jetë më e thjeshtësuar. Duhet të rishikohet rritja e buxhetit përsa i përket shtimit të numrit të mësuesve ndihmës pasi mbetet problemat fakti mungesa e mësuesve.

Elbasan, tokës së dyqanit i del pronari, qytetari kërkon paratë mbrapsht.

Hajdar Zhobe, banor i lagjes “Zogu i Parë” në Elbasan tregon në “Stop” se është pronar i një dyqani, por nuk disponon truallin. Në ZRPP-në e Elbasanit i thanë t’i drejtohej Ministrisë së Financave. Tek Financat i thanë që duhet të paguante 4 milionë e 300 mijë lekë për truallin. Pasi kreu edhe këtë procedurë, i erdhi si përgjigje se tokës i ka dalë pronari. Por tani Hajdar Zhobe nuk po merr dot paratë e tij mbrapsht. Drejtori i shërbimit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Elbasan, thotë se ky është një rast i vecantë, për të cilin do të ketë një përgjigje. Se kur do të marrë përgjigje qytetari, drejtori nuk e thotë.

Hajdar Zhobe: Unë personalisht jam pronar i një dyqani, i cili në vërtetimin hipotekor ka një mangësi. Më rezulton që nuk është trualli dhe për këtë i drejtohem Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ata më thanë se duhet t’i Drejtohesh Drejtorisë së Drejtimit të Pronave, në Ministrinë e Financave Tiranë.

Gazetarja: D.m.th. ju jeni posedues i ligjshëm i objektit, por jo i truallit?

Hajdar Zhobe: Po, po. Dhe për këtë shkoj në Tiranë, paraqes dokumentacionin përkatës që më kërkonin dhe pasi ranë dakord më thanë që të protokollojmë dosjen duhet të paguani taksën e truallit nga viti 2010 deri në momentin që fillon procedura. Nuk e di toka ishte privat apo shtet? Por përderisa shkova dhe më thanë se duhet ta blini në shtet, se si rezultonte duhej ta zgjidhnin vetë. Dhe për këtë, unë pasi bëra pagesën në drejtorinë arsimore në Elbasan, e çoj faturën në Tiranë dhe protokollohet dosja.

Gazetarja: Sa ishte fatura?

Hajdar Zhobe: Rreth 4 milionë e 300 mijë lekë. Atëherë unë shkoj vetë në Ministrinë e Financave në Tiranë. Ata më dhanë një përgjigje negative që e kam edhe me shkrim dhe më thonë që trualli që ju kërkoni të blini u përket personave privatë, kështu që ata e zotërojnë plotësisht truallin. Dhe për këtë atëherë më lindi e drejta të kërkoj paratë e derdhura. Por Drejtoria Tatimore e Elbasanit ma vonoi shumë çështjen duke më quajtur person fizik dhe duke më çuar tek Apeli Tatimor në Tiranë, gjë që s’ka lidhje fare me këtë, sepse unë nuk jam person fizik në rastin konkret. Dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje për lekët e mija që se di ku kanë vajtur.

Është bërë tashmë praktikë që kur qytetarët nuk paguajnë në kohë detyrimet që kanë ndaj shtetit, atyre ju faturohet edhe kamatvonesë. Por në fakt, pyetja që ngre “Stop” është që atyre qytetarëve që paratë u janë marrë gabimisht, kjo si pasojë e keqinformimit institucional, a ju paguhet kamatëvonesa vallë?

Për rastin e Zotërisë, Emisioni “Stop” iu drejtua zyrave rajonale tatimore Elbasan për të pyetur përse këto para nuk i kthehen zotërisë.

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan: E di problematikën. Ka ardhur këtu te neve, që ka bërë diferencimin, sesa është pagesa, që duhet të bëjë. Afërsisht 4 milionë e 300 mijë ka paguar detyrimin. Ministria, pasi ka bërë pagesën, i ka thënë, se juve nuk duhet ta paguani, pasi kjo pronë, nuk është në shtet. Por është e x-it dhe ypsilonit. Erdhi zotëria për rikthimin e shumës. Drejtoria rajonale tatimore Elbasan, nuk mund të nxjerri, nuk mund të rimbursojë lekë. Se gjithë rimbursimet bëhen në drejtorinë. Këtu thjeshtë bëhen akte kontrolli dhe kjo është rast specifik. Nuk ka ndodh rast, pra, është rast i veçantë.

Gazetarja: Çfarë ndodh tani me këto lekë?

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan: Këto lekët do i kthehen zotërisë.

Gazetarja: Kur do t’i kthehen lind pyetja?

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan: Zotëria në Dhjetor ka bërë pagesën.

Gazetarja: Po! Jemi në Shkurt!

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan: Lekët, ai do t’i marri shumë shpejt, jo se nuk dihet, se kur. Por, që të ta them një datë të sigurt, mbase dalin dhe lekët nesër.