Stop – Emisioni 216 (sezoni 4)

Stop – Emisioni 216 (sezoni 4)

21:02 01/07/2019

Hitparade i absurdit shqiptar.

Në Kurbin një qytetar bën simbolin e dy gishtave nga xhami i thyer i makinës. Një banor i zonave rurale po punon tokën me kalë e në të njejtën kohë bën thirrje “Rama ik”! Në Syrin e Kaltër, qytetarët kalojnë përmes llucës. Janë këto disa nga videot, që shfaqen e komentohen në studion e emisionit “Stop” në rubrikën “Hitparade i absurdit shqiptar”.

Mamurras/ Për disa vite i paregjistruar në gjendje civile, duhet të hapë gjyq.

Emisioni “Stop” u ndal në Mamurras për problemin e qytetarit Erald Ndoji. Ai tregoi se në vitin 1989 prindërit e tij u divorcuan. Motra shkoi me babain në Fushë-Krujë, ndërsa ai vetë qëndroi në Mamurras me të ëmën, ku u shkollua dhe krijoi familje. Mirëpo, kur shkoi të marrë një certifikatë familjare për vitet ’90-’91, në zyrën e Gjendjes Civile Mamurras i thanë se në vitet ‘89-‘93 nuk figuron i regjistruar në këtë zyrë. Po kështu nuk është i regjistruar as në në zyrën e Gjendjes Civile Fushë Krujë.

“Para pak kohësh shkova te Zyra e Gjendjes Civile Mamurras për të marrë një certifikatë sepse doja të aplikoja për tokë, që më takon që në vitet 1991-1992. Kam rreth 10-12 vjet që sillem kadastrave, por janë fshirë të gjitha. Më mësoi dikush që duhej një certifikatë familjare dhe personale e këtij viti që të paraqitesha te bashkia. Por më thanë që nuk rezultoj në Mamurras, pasi në bazë të regjistrave jam në Fushë Krujë. Shkova aty dhe më tha që nuk kam qenë kurrë në Fushë Krujë”, rrëfeu denoncuesi.

Punonjësja në Mamurras tha se gabimi mund të jetë bërë nga paraardhësja, e cila ka ndërruar jetë. Pra, Erald Noji rezulton të ketë “rilindur” në vitin 1993, për të cilën u shpreh me humor: “Jam si Krishti, kam ardhur për të shpëtuar njerëzimin”.

Qytetari sëbashku me kamerën e fshehtë të emisionit “Stop” iu drejtua Gjendjes Civile Mamurras dhe Fushë Krujë për t’u interesuar sërish rreth problemit të tij, pasi nuk i intereson i kujt është gabimi, thjeshtë do të pajiset me certifikatë.

Gjendja Civile Mamurras

Specialistja: Në regjistrat e Mamurrasit ’89-’93 nuk figuron. Figuron emri, por nuk je me vendqëndrim. Atje, mund ta ketë bërë edhe gabim ai që ka qenë para, por unë jam e detyruar të shkruaj çfarë më thotë regjistri.

Qytetari: Për zotin, mua më erdhi një çikë keq atë ditë, të them të drejtën se… më erdhi keq se më the shko gjej të vdekurin! Ka vdek the ai që ta ka firmosur.

Specialistja: Or ti, unë edhe sikur të jetë gabim i ish-punonjësit, unë jam e detyruar ta shkruaj siç thotë regjistri.

Gjendja Civile Fushë Krujë

Qytetari: A ke mundësi të shohësh në regjistrat ’91-’92 se s’ka mundësi të më kenë fshirë kështu, të më kenë bërë inekzistent, kupton?

Specialistja: Vetëm në qoftë se ke qenë i ndarë me mamin vetëm.

Qytetari: I ndarë kam qenë. Me çfarë më tha ajo punonjësja unë jam në transferuar në ’89 në Fushë Krujë. Dhe në rast se unë do isha transferuar, a duhet të jem këtu?

Specialistja: Patjetër që duhet të jesh këtu! Nëse ke parë gjendjen civile.

Qytetari: Po pra, por unë s’dal as atje, as këtu tani.

Specialistja: Kam Zefin (babain e Eraldit), që është vendosur nga Mamurrasi në ‘89-ën.

Qytetari: Po me cilët anëtarë?

Specialistja: Hajde shikoje vetë që të jesh sa më i qartë. E kam Zef Noji, Erinida, Aneta, Saurela, Emiljana (bashkëshortja e dytë dhe fëmijët)

Qytetari: Unë nuk jam.

Specialistja: Jo. Më datë 20.11.1989, vendosje.

Qytetari: Pra, domethënë në Fushë-Krujë s’kam ekzistuar në 89-ën?

Specialistja: Jo, në këtë regjistër jo!

Qytetari: Po në ‘90-ën?

Specialistja: Përderisa s’ka qenë babi këtu, nuk ke si të kesh qenë ti.

Qytetari: Po!

Specialistja: Të shohim një herë edhe tek Nikolla ne, tek trungu i vjetër fare.

Qytetari: Gjyshi?

Specialistja: Atëherë, unë këtu kam: Nikollë, Bardhë, Gjon, Pal, Ndrec, Zef, Maria…

Qytetari: Është halla!

Specialistja: Marte, Leonard, Vera, Flora, Ilir…

Qytetari: Kalamajtë, fëmijët.

Specialistja: Teuta, Saimir, Katerina, Valbona, Shkëlzen, Rezart, Albana, Blerim, Manushaqe, Ariola, Arida dhe Arlindi. Zefi është larguar thotë. Zef Noji, Marie Noji, Erida..

Qytetari: Erindida Noji(motra e Eraldit).

Specialistja: Ti ke lind pas ‘83-shit. Çfarë viti?

Qytetari: ‘85-ën.

Specialistja: Domethënë në 85-ën, ti nuk je këtu!

Qytetari: Jam në Mamurras.

Specialistja: Kështu që atje e ke me 99%, se i kemi hapur të gjitha thuaji asaj (specialistes së Gjendjes Civile Mamurras)

Qytetari: Jo me 99, me 100% është.

Specialistja: Me 100%, kur thua vetë. Thuaji asaj punonjëses që i kemi hapur të gjithë regjistrat dhe thuaji hapi dhe ti një çikë!

Në këto kushte emisioni “Stop” komunikoi me specialisten e Gjendjes Civile në Mamurras, Donika Tucin, e cila u shpreh se e njeh shumë mirë Eraldin sepse e ka fqinj, por në regjistrat e këtyre viteve nuk ekziston.

Kjo e fundit shpjegoi: “Mundet të jetë gabim pasqyrimi i largimit ose ardhjes. Këtë do ta vërtetojmë me dy vendime gjykate të ’93 dhe ’89-ës. Por edhe sikur të gjendet vendimi, po nuk e gjetëm këtu, e gjejmë te arkiva. Por edhe nëse është gabimi i ish-punonjësit, ne nuk kemi të drejtë të bëjmë korrigjime në regjistra”.

Ndaj e vetmja zgjidhje ngelet gjykata. Denonuesi i shqetësuar u shpreh se do të shpenzojë sa të jetë nevoja në procese gjyqësore për një gabim të një ish-punonjëseje, por do ta zgjidhë këtë çështje.

“Në atë kohë që më janë bërë këto manipulime, kam qenë jetim dhe në kushte ekstreme varfërie. Donika e di shumë mirë këtë. Në kohën që unë jam rritur pa bukë dhe kam patur nevojë për të më dhënë një copë bukë, më kanë bërë inekzistent”.

Rrehtina/ Me zemër e tumor, bashkëshortët duhet të kthejnë kempin.

Gazetarja e “Stop” ka udhëtuar në fshatin Grudë e re, në Shkodër, njësia administrative Rrethinat. Në familjen e Mirash dhe Xhuljana Shytani, pas një viti e gjysëm, që merrnin 57 mijë lekë të vjetra ndihme ekonomike, papritur iu reduktua me 30 mijë lekë. Ata tregojnë, se u thanë, që kanë marrë më tepër dhe duhet të kthejnë rreth 500 mijë lekë, pasi është shkaktuar dëm ekonomik. Bashkëshortët Shytani janë të sëmurë, njëri me zemër e tjetri me tumor në kokë dhe përfitojnë kemp. Administratori shoqëror i njësisë Shalë, Martin Koceku, thotë, se është faji i sistemit, por dhe i tij, pasi kontrolli i njësisë administrative e ka nxjerrë këtë dosje me probleme.Por nga ana tjetër në zyrat e njësisë administrative thonë, se ky rast as që është parë.Problemin mund ta ketë konstatuar vetë administratori dhe përgjegjësia është e tij.

Të ngjashme
UKT