Stop – Emisioni 218 (sezoni 4)

Stop – Emisioni 218 (sezoni 4)

21:02 03/07/2019

Meta sulmon sërish Ramareformat/ Shtohen kioskat në Sarandë.

Komisioni Europian rrëzoi sot kërkesën e Holandës për kthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.Presidenti Meta ka goditur sot sërish, duke sulmuar me statuse në facebook kryeministrin Rama dhe duke e quajtur shënimin e tij “refleksione mbi Ramareformat”. Nga ana tjetër, në kryesinë e kuvendit u mblodh komisioni i ligjeve dhe të hënën do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Meta.Më pas transmetohet një video, që tregon sesi mbinë kioskat në Sarandë, në prag të zgjedhjeve lokale.

Elbasan/ zjarri te 12-katëshi zbulon moszbatimin e kushteve të projektit.

Më 18 Qershor të 2019-ës një zjarr masiv ra në pallatin 12 katësh në lagjen “Dyli Haxhire” në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar panik tek banorët. Tymi depërtoi nëpër të gjitha katet e këtij pallati, duke lënë të bllokuar banorët. Vetëm ndërhyrja e helikopterit, bëri të mundur nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë e tyre. Këta të fundit denoncojnë në “Stop” mungesën e sistemit të ajrimit dhe të hidrantëve.

Banorja 1: Isha duke ndehur rrobat në ballkon, shoh një tym të zi, si oxhaqet e Metalurgjisë. Tymi sa vinte dhe shtohej. I lashë rrobat dhe vajta me vrap në korridor, shof korridorin dhe po mbytej në tym, pasi nuk ka ajrosje pallati. Zjarrfikëset erdhën në moment, pasi do ishim djegur të gjallë si pulat që rripen.

Banorja 2: Mua më duhet ta lyej shtëpinë, të rregullohen disa gjëra të funksionojnë pak më mirë. Se sot i ra komshiut përballë, nesër mund të më bjerë mua, ose dikujt tjetër. Po të kishte funksionuar sistemi i ajrosjes, nuk do kishte tym nëpër shkallë thjesht do ishte djegur shtëpia.

Banori: Këtu nuk ka as ajrim ,asnjë gjë, ne shyqyr na ruan Zoti, se të jetë për këto, kemi mbaruar. Kështu janë ndërtuar të gjithë pallatet kush e kush ta mbarojë sa më shpejt të mbarojë punë dhe të ikin.

Administratori i pallatit, Besnik Shermadhi: Kur më kanë marrë në telefon ka qenë një tmerr i vërtetë. Nuk po e kuptoja çfarë po thoshin dhe jam turrur me vrap, nuk po pyesja as për jetën time. Kam parë një tmerr të vërtetë. Kam ulur automatin e elektrikut, kam mbyllur bombolën qendrore të gazit, konstatuam që mungonte ajrimi. Zanafillën ky pallat e ka para 17 vitesh. Lokali që është sot nuk ka qenë projekt, u premtua që do bëhej një si piramidë dhe do kishte dritë dhe ajrim. Gjatë ditës filluan të viheshin konstruksione hekuri, dhe pas piramidës na doli një tepsi që rrotullohej dhe më pas lokal. Këtu mungon dhe hidranti. Nëse këtu do kishte hidrant dhe unë si administrator pallati dhe banor mund ta kisha kapur tubin e ujit dhe do kisha vepruar në moment dhe nuk do kishte ndodhur kjo katastrofë. Kam kontaktuar me ndërtuesin dhe e kemi shtruar shumë herë këtë problem, por siç e shikoni ka rënë në vesh të shurdhër.

Po çfarë thotë Drejtoria e zjarrfikëses Elbasan?Për këtë rast, Bashkia Elbasan ka mbajtur edhe një relacion.

“Në datën 18 Qershor rreth orës 10:50 minuta patëm një njoftim për një zjarr nga një qytetar dhe nga policia. Zjarri u fik brenda por problemi ishte evakuimi i qytetarëve. Tymi ishte i papërballueshme nuk mund të rezistojë dot, falë mjeteve që hynë brenda, falë një gjeneratori që e kemi në gjendej të mirë bëmë largimin e tymit e shtymë nga lart. Ishin të kufizuara daljet. Pasi fikëm zjarrin u mblodh një grup pune nën drejtimin e Kryetarit është përgatitur një relacion që është kryetari i Bashkisë kur ta publikojnë ato”.

Mustafa Arapi, Përgjegjës i Emergjencave Civile, Prefektura Elbasan thotë, se është ngritur edhe një komision për të gjitha dëmet e shkaktuara.

Mustafa Arapi: Mustafa Arapi: Kam komunikuar me drejtorinë e Emergjencave të bashkisë Elbasanit në ngritjen e një komisioni për përcaktimin e dëmeve që janë shkaktuar nga fatkeqësia. Jemi në pritje të përpilimit të procesverbalit dhe çfarë kërkese kanë ato për ti ardhur në ndihmë për normalizimin e situatës. Jemi në ndjekej të problemit.

Ndërsa Taulant Sinani, Drejtor i Emergjencave Civile, Bashkia Elbasan thotë, se me vendim të këshillit bashkiak, familja e dëmtuar, do të marrë 11 milionë lekë dëmshpërblim. Jo vetëm kaq! Të dy zyrtarët thonë, se do të kontrollohen objektet për zbatimin e kushteve të projektit, që këto situata të mos përsëriten.

“Ky pallat paraqiste probleme ashtu siç kanë dhe disa pallate të tjerë të cilat ne po i verifikojmë. Kishte problem të ajrimit dhe mungesa e shkallës së emergjencës për largimin e banorëve dhe kjo do kishte sjellë ndoshta mosasfiksimin e kateve të mësipërme. Reaguam menjëherë me të gjitha; si zjarrfikësja, po u kërkua dhe ndërhyrja nëpërmjet helikopterit për evakuimin e banorëve. Më pas u morën grupet e verifikimi për dëmet në këtë banesë dhe pjesën tjetër të pallati. Ne si procedurë bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për financimin shtetëror për familjet e dëmtuara për shkaqe natyrore ose njerëzore, u bë preventivi për dëmin në banesë dhe në orendi dhe u miratua në mbledhjen e datës 20 të Këshillit Bashkiak vlera financiare e dëmshpërblimit që mund të marri nga shteti. Për banesën në fjalë duke zbritur 50 % se dëmin më të madhe e kishte në objekt përfshirë, dyer, pllaka, dritare, elektrike në total shkonte 1.1 milion Lekë të reja, ose 11 milionë Lekë të vjetra”.

Transmetimi në Stop/ Naxavari për kancerin e tiroides bëhet me rimbursim.

Në muajin Prill 2019, emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi rastin e z.Hajdër Bendaj, i cili vuan nga kanceri i tiroides dhe trajtohet me medikamentin “Nexavar”.

Një pako e tillë kushton 5 milionë lekë të vjetra dhe përdorimi i saj zgjat 1 muaj. Të sigurosh një medikament të tillë është e vështirë, kjo edhe për shkak të çmimit të lartë.

Por, pas denoncimit të rastit nga emisioni “Stop”, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera të varësisë u sensibilizuan dhe medikamenti “Nexavar” është futur në listën e ilaçeve të rimbursueshme. Më në fund një lajm i mirë për Hajdër Bendaj dhe pacientët e tjerë që vuajnë nga kjo sëmundje.

“Pas transmetimit të lajmit në emisionin Stop, pas shumë përpjekjesh, dje si përfundim mora lajmin për ta marrë ilaçin me rimbursim. Shumë faleminderit Stopit”, shprehet z.Bendaj.

Përpos futjes së ilaçit në listën e rimbursueshme, dy zotërinj i dhuruan Hajdër Bendajt dy pako me ilaçin “Nexavar”.

Të ngjashme
UKT